Nga Fatmir Popja
Në ditët e fundit të muajit gusht, një pjesë e emigrantëve librazhdas që jetojnë e punojnë në Europë, Amerikë, Kanada e gjetkë e kanë kthyer në traditë që të mblidhen në sheshin “Gjorg Golemi” në qendër të qytetit.
Bashkia e Librazhdit ju ka dedikuar atyre një “Natë Festive”, e cila ka marrë emrin “Festa e Shtegtarëve”. Ky aktivitet u zhvillua për të dytin vit rradhazi nën kujdesin e veçantë të kryebashkiakut Mariglen Disha.
Sipas tij “Festa e Shtegtarëve” është shprehje e mikpritjes që ju bën vendlindja bijve e bijave emigrantë sa herë që ata e vizitojnë qytetin apo fshatin ku u lindën e u rritën.
Kryebashkiaku Mariglen Disha i njohu emigratët dhe mysafirët e pranishëm në këtë festë me transformimet që po pëson infrastruktura në zonën urbane dhe në zonat rurale, por edhe me investimet e shumta që po kryhen në çerdhe, kopshte, shkolla e kudo. Kjo festë ju tha kryebashkiaku të pranishmëve nga “Festa e Shtegtarëve” shpreh vlerësimin e merituar për sakrificat e punën e ndershme të gjithë emigrantëve në shtetet ku ata kanë jetojnë e punojnë prej shumë e shumë vitesh.
Gjithashtu kjo është edhe mirënjohje për kontributet e jashtëzakonshme që emigrantët librazhdas kanë dhënë e japin për familjet e tyre në vendin e lindjes.
Emigrantët librazhdas të rikthyer për pak ditë në Shqipëri për pushime e për tu çmallur me familjarët e të afërmit e tyre kanë shijuar koncertin madhështor “Festa e Shtegtarëve” ku performuan këngëtarë të mirënjohur të Librazhdit dhe këngëtarë të tjerë të shquar të ftuar me këtë rast si Eneda Tarifa, Eglantina Toska, Maya Aliçka, Hatixhe Lushi, Gentjana Gjoshi, Rezarta Lushi, Krenare Lushi dhe Hysni Hoxha të cilët krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme.
Të paktën 3 mijë vetë ishin të pranishëm në sheshin në qendër të Librazhdit ku kënduan së bashku me këngëtarët profesionistë dhe kërcyen valle të ndryshme popullore deri në mesnatë.
Mes tyre ishin disa qindra të kthyer nga jashtë si edhe mjaft turistë të cilët u bënë pjesë e festës së organizuar nga Bashkia.Emigrantët pjesëmarrës në eventin “Festa e Shtegtarëve”, vlerësuan me superlativa organizimin dhe vëmendjen që po tregohet ndaj tyre nga ana e qeverisë vendore dhe premtuan se ata do synojnë të jenë histori suksesi atje ku jetojnë e punojnë dhe vëmendjen do ta kenë gjithmonë te vendi i lindjes të cilin çdo vit duan ta shohin më të zhvilluar e më të begatë.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb