Fituesi i paracaktuar? ‘Trauma’ tender 1 mln euro për riciklimin, kompania “Eco Riciklim” shkel kontratën, spitali kthehet në burim infeksioni

6 months ago 9

Emisioni investigativ Vetting në News24

Probleme me koncesionin e sterilizimit
Kostot e larta që ka sjellë kontrata e sterilizimit kanë filluar të rëndojnë edhe buxhetin e Spitalit të Traumës. Konkretisht, në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, zbulohet se koncesionari furnizohet me energji elektrike dhe ujë të siguruar nga SUT dhe shpenzimet mbulohen nga buxheti i SUT mbi nenin në kontratën me koncesionarin “Sani Service”.

“Shpenzimet e energjisë elektrike dhe ujit të konsumuar nga koncesionari Sani Service SHPK, në vlerën 17,064,960 lekë, përbëjnë efekt financiar negativ për Buxhetin e SUT”, thuhet në raportin e KLSH.

Duke parë shpenzimet e larta, KLSH ka rekomanduar që Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të rinegociojë njërën nga pikat e kontratës me koncesionarin ku shpenzimet e energjisë elektrike, ujë, avull, vepra civile dhe impiante të jenë detyrime të “Sani Service” dhe jo buxhetit të spitalit.

Po ashtu, spitali nuk i ka marrë qira koncesionarit për përdorimin e ambienteve të tij duke i shkaktuar humbje që llogariten në shumën 5.5 milionë lekë të reja. Kontrata koncesionare për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale parashikon që kompania private duhet të përballojë me të ardhurat e saj faturat e energjisë elektrike, të ujit të pijshëm dhe qiranë e ambienteve. Por, siç rezulton nga kontrolli, këto pagesa janë kryer nga spitali në kundërshtim me kontratën.

Por shpenzimet për ujë dhe dritat nuk janë të vetmet pasi edhe sterilizimi i pajisjeve ka zbuluar kosto shtesë, të cilat ngarkojnë me përgjegjësi koncesionarin dhe Spitalin e Traumës për përdorimin e autoklavave të institucionit.

 “Në inventarin e SUT gjenden 9 (nëntë) autoklava sterilizuese në vlerën totale 3,604,584 lekë. Përdorimi i tyre, nga shërbimet e sipërcituar të SUT krahas, atij të ofruar nga koncesionari si një detyrim koncesinar bie ndesh me kushtet e kontratës së lidhur midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Koncesionarit “Sani Service”, vijon raporti i KLSH.

Në raport evidentohet që koncensionari, “Sani Service” sh.p.k, nuk ka dorëzuar plotësisht dokumentet mbi administrimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore.

Zbatimi i kontratave të firmosura nga ish-Spitali Ushtarak kanë zbuluar se problemi me mbetjet spitalore tashmë është një problem mbi problemet e shumta që ka ky spital.

Në rastin konkret, në korrik 2022 ka patur një hetim administrativ nga Drejtoria e Përgjithshme Antikorrupsion dhe Ministria e Drejtësisë për tenderin që lidhet me trajtimin e mbetjeve spitalore. Për “Vetting”, Ministria e Drejtësisë ka deklaruar se ky hetim është mbyllur dhe janë marrë masa administrative për rastin në fjalë.

Por kush është kompania dhe çfarë tenderi ka marrë?

Kompani është “Eco Riciklim” sh.p.k, e cila ka fituar tenderin dhe është në pronësi të Arbër Teqjes, Ervin Meçes dhe Adriatik Memaj.

Në prill 2022, ish-Spitali Ushtarak ka hapur garën për Marrëveshjen Kuadër për trajtimin e mbetjeve spitalore në këtë institucion dhe në garë ka marrë pjesë vetëm “Eco Riciklim”, e cila ka fituar pa patur konkurrentë të tjerë.

Vetë gara për tenderin ka patur indicie për korrupsion pasi Open Data Albania e ka shënuar me flamur të kuq, e cila u vendoset tenderave që konsiderohen me risk të lartë për korrupsion dhe paracaktim fituesi.

Madje, kompania ka fituar tenderin me ofertë 100% sa fondi limit me vlerë rreth 1 milion euro. Nga hetimet zbulohet se pranë ambienteve të spitalit është vendosur vetëm një kontenier ku brenda tij ishte i instaluar një frigorifer. Sipas kontratës, kompania “Eco Riciklim” sh.p.k duhet të instalojë të paktën dy frigoriferë në Spitalin e Traumës, për ruajtjen e mbetjeve të rrezikshme të buta dhe të ngurta, deri në momentin e transportimit për tek impianti i asgjësimit.

Ajo që e bën më të rëndë situatën është fakti se Spitali i Traumës nga vend shërimi është kthyer në burim infektimi!

Audituesit zbulojnë se nuk është kryer dezinfektimi i mirë i frigoriferëve dhe ambientit brenda dhe përreth vendit ku ruhen mbetjet. KLSH ka rekomanduar që Spitali i Traumës të marri masa ndaj kompanisë “Eco Riciklim”, duke e penalizuar nëse nuk plotëson kushtet.

Duke u bazuar nga të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit, “Vetting” zbulon se Spitali Universitar i Traumës ka shpallur fitues kompaninë “Eco Riciklim” me kosto mbi 1 milionë euro nën hijet e dyshimit që përfshin kodet e rrezikshme.

Në shkurt 2019, Spitali i Traumës ka hapur tenderin me vlerën 240 milionë lekë për trajtimin e mbetjeve spitalore. Në garë kanë marrë pjesë edhe kompanitë “Pura-Medical” dhe “Medi –TEL” sh.p.k. Por në fillim të garës ka indicie për tender të paracaktuar pasi kompania “Medi-TEL” nuk ka bërë ofertë, duke ia lënë rrugën e hapur “Pura-Medical” dhe “Eco Riciklim”.

Kompania “Pura-Medical” është skualifikuar duke i lënë garën në dorë “Eco Riciklim”. Nga të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Qendra Kombëtare e Biznesit zbulohen informacione kontradiktore. Sipas Agjencisë së Mjedisit, kompania “Eco Riciklim” e ka marrë lejen mjedisore III.2.B të Tipit B në ditën e fundit të dorëzimit të dokumentave për tenderin.

Por nga dokumentat e ngarkuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton se leja mjedisore III.2.B të Tipit B është firmosur disa muaj më pas nga ish ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi. Është e paqartë nëse kompania “ECO RICIKLIM” e ka patur licencën në momentin që ka dorëzuar dokumentat që ka fituar tenderin 1 milion euro nga Ish Spitali Ushtarak.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article