*Nga Elisa Spiropali/
Noli Viktimë.
Për Priftin, politikanin, poetin, shkrimtarin, përkthyesin, publicistin, polemistin, muzikantin, folkloristin Fan Noli mund të nisim të flasim tani, të vazhdojmë me ditë e netë, dhe të mos mbarojmë kurrë. Të themi dy fjalë duke e parë nga një kënd i veçantë, nga këndi i të qënit viktimë, që mes tjerash, Noli sigurisht qe’.
Duke harruar se ishte Prift, dhe para tij nuk duhet të bëjmë asgjë tjetër veçse të rrëfehemi për gjithçka që bëjmë ose nuk bëjmë, sot e kësaj dite vazhdojmë të merremi me Nolin si me çdo vdekëtar të rëndomtë, duke i vënë në dukje gabime e të meta nga më të çuditshmet që kur i dëgjon apo lexon të merret fryma nga habia.
Noli kreu punë të mëdha për qëllime të larta. Aq të shumta, sa nuk numërohen. Dhe, si i tillë, nuk mund të mos vuante pasojat e sportit më të dashur dhe më të dëmshëm, më autodestruktiv, që shqiptarët historikisht praktikojnë me zell të madh: baltosjen e më të mirëve dhe më të mëdhenjve të vet.
Noli është viktimë i një arketipi apo një klisheje, që u krijua, kultivua, u vadit, prashit, krasit, me kujdes të madh nga Diktatura, që të madhin Nol e paraqiste pak a shumë si njeri i shquar, progresist, deri diku pozitiv, por që në fund të fundit mbeti jo më tepër se një prift, një i paqartë ideologjikisht, që edhe bëri ndonjë gjë të mirë, por më tepër gaboi, se i mëdyshur qe.
S’ka gjë më qesharake dhe më dramatike në historinë tonë se gjykimi i përciptë që i bëjmë të mëdhenjve, veçanërisht Priftit tonë të ndritur, Fan Nolit.
Të gjithë kritizerët e kudondodhur ishin dhe janë të pakënaqur nga Noli:
Të palumtur prej Nolit janë sot e kësaj dite klerikët, sipas të cilëve, një prift nuk mundet, as nuk duhet, të merret me politikë.
Po ashtu të tjerë të palumtur me Nolin janë politikanët. Këta për arsyen e kundërt: sepse, sipas tyre, nuk mund të jesh’ politikan i mirë, për më tepër progresist, duke qënë dhe prift sado i përkushtuar.
Ose tjetra, disa prej kritizerëve ia zënë Nolit për të madhe pse për të mbijetuar pranoi diçka nga Mbreti i vendit të vet. Dhe kush e kur e thotë këtë?! Ca që sot e gjithë ditën i vënë zjarrin Shqipërisë për pesë lek.
Deri edhe pse i binte fyellit ja llogarisin për krim viktimës së ndritur, Nolit.
Kaq e përhapur është kjo dukuri ndër ne, sa përtej modestisë, edhe mua tek flas, tani më ngrin gjaku kur mendoj se mund të them ndonjë gjë që kritizerëve u duket gabim.
Fan Noli e vuajti gjatë gjithë jetës gjykimin e përciptë që i bënin inferiorët. Çka ishte deridiku e kuptueshme për shkak të vlerësimit të pjesshëm nënvlerësues që zakonisht inferiorët aplikojnë ndaj të mëdhejve, për të cilin nënvlerësim natyrisht Noli ishte koshient, dhe me siguri në një farë mase ngushëllohej duke e pranuar si një të keqe të paevitueshme, por si tmerrësisht i ndjeshëm që ishte, prapseprapë vuante.
Jo po këtë e bëri mirë e këtë e bëri keq, këtë duhej ta bënte kështu e atë ashtu, janë lajthitje që s’është mirë t’i dëgjosh apo lexosh se luan mendsh.
Noli mund të analizohet, komentohet, vargjet, proza dhe përkthimet e Tij të mësohen përmendësh, por nuk mund të gjykohet apo korrektohet.
Nuk mund të gjykohet vigani që gjykatës suprem, sovran, Mbinjeri, ishte vetë.
Ta gjykosh Nolin është po aq absurde sa, për shembull, t’i hysh e të kërkosh e të gjesh përgjigje për pyetjen e hazdisur të Lasgushit: Pa më thoni cilët vallë, redaktojnë redaktorët? Apo për të marrë një tjetër shembull nga aktualiteti, të bësh pyetjen: Cili SPAK vigjëlon SPAK-un ? Çka është një lajthitje në themel.
Fan Noli ishte i mbyllur dhe i pafundmë si Universi, si ekzistenca, si jeta, që edhe kur është anekënd e hidhur, është gjithmonë e dashur. Si i tillë, Noli nuk mund të kishte kufizime meskine, banale, nga ato që kritizerët mediokër i vënë në dukje.
Jo me hazretin Lenin të takohej, por edhe me kinezët, kongolezët, eskimezët, po deshe edhe me piratët e detit, apo dhe me kanibalët e xhunglës, madje dhe me djallin e Ferrit të takohej e të negocionte për Shqipërinë do bënte shumë mirë.
Noli, bashkë më ndonjë ëndërrtar tjetër si Luigj Gurakuqi, janë themeluesit e të majtës moderne shqiptare. Historia e të majtës shqiptare nuk nis me instalimin e diktatures komuniste. Ajo ishte një shkëputje tragjike brenda logjikës gjeopolitike të kohës.
Noli ishte përfaqësuesi i parë i vegjëlisë në arenën politike shqiptare. Ai sigurisht nuk e çrrënjosi feudalizmin, nuk bëri dot reformë radikale agrare dhe administrative, nuk e vendosi dot demokracinë, por ekzistenca e tij e parakohshme në skenën politike dhe publike shqiptare ishte e ngjashme më atë të një ylli, dritën e të cilit e shohim vite e vite më vonë.
Noli e dëshmoi me punë dhe produkt se ishte më i madhi, më i ndrituri, nga të gjithë. Një fjalë latine thotë: Kush është i squtë, e di vetë. Noli nuk mund të ishte përjashtim i këtij rregulli. Dhe as e fshihte se e dinte sa i lartë ishte. Për shembull, një dëshmi të qartë lidhur me sa i lartë dhe i vetmuar qe’, na e rrëfen vetë kur thotë pakashumë këtë: Ndonjëherë i afrohem pasqyrës për ta puthur në ballë njeriun më të madh që njoh, veten time.
Heremiti Noli, si gjithë të mëdhenjtë e truallit të Skënderbeut, jetoi ngushtë, jetoi keq, ndonjëherë thjesht mbijetoi, dhe vuajti. Por falë kontributit kolosal që dha, nuk u harrua, mbeti dhe kujtohet, nderohet. Me lavdinë e super merituar të Nolit mburren dhe krenohen të gjithë shqiptarët të çdo besimi politik apo religjioz që kanë.
Nga ana tjetër, kritizerët trukokallë, bënë edhe ata ndonjë punë, si dhe hëngrën e pinë, gromësinw, u majmën. Por, u harruan pa nam e nishan. Prej zevzekëve s’mbeti asgjë që t’ja vlejë të kujtohet, e aq më pak, nderohet.
Maratonomaku Noli ishte një njeri i madh, një i çartallosur bukur, një përbindësh i shenjtë, dashuror i fandaksur, patriot i hardallosur, estetizant i dalldisur, altruist i pashërueshëm, viktimë e ndritur e rrethanave të kohrave, kalorës i vrenjtur i vetmuar, pa Rosinant, Dylqinjë, Sanço Pançë, dëshmor i pakontestueshëm që u shkri për të mirën e vendit të vet, të cilit i dha gjithçka dhe nuk i mori asgjë, dhe, si i tillë, për Viganin tonë viktimë, asnjë lëvdatë nuk është e tepërt.
*Fjala e ministres Elisa Spiropali në aktivitetin e organizuar nga Akademia e Studimeve Shqiptare
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb