Forumi i Funksioneve të Rojës Bregdetare Mesdhetare/ Balluku: Shqipëria po realizon përafrimin e rregulloreve dhe legjislacionit të Rojës Bregdetare me ato të standardeve të BE

3 hours ago 24

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte e pranishme në Forumin e Funksioneve të Rojës Bregdetare Mesdhetare që u mbajt për herë të parë në Shqipëri. Balluku tha gjatë fjalës së saj se mbajtja e forumit në Shqipëri tregon vëmendje të shtuar të Komisionit Evropian në drejtim të hapësirës Adriatiko-Joniane.

Ajo u shpreh se Shqipëria, në kuadër të integrimit evropian, po realizon përafrimin e rregulloreve dhe legjislacionit të Rojës Bregdetare me ato të standardeve të Bashkimit Europian, të FRONTEX”. Sipas saj, rruga që ka zgjedhur Shqipëria është ajo e një reforme përmes integrimit të funksioneve ligjzbatuese në det, duke synuar që “Roja Bregdetare të marrë një rol qendror”.

FJALA E PLOTË E BALLUKUT:

Mirë se keni ardhur në Shqipëri. Për mua është një nder i veçantë që këtu sot, me ftesën e Ministrit të Mbrojtjes, zotit Vëngu, të marr pjesë në këtë Forum kaq të rëndësishëm për ligjzbatimin në det që për Shqipërinë tashmë është një sfidë, jo vetëm për shkak të angazhimit tonë në negociatat për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Euriopian, por edhe për faktin që Shqipëria tashmë luan një rol të rëndësishëm rajonal, në të gjithë zonën e Mesdheut dhe nga ana tjetër është kthyer një nga vendet më atraktive për turizmin mesdhetar, sidomos gjatë vitit 2022, 2023 dhe 2024.

Është gjithmonë kënaqësi e veçantë kur na jepet mundësia që të mirëpresim në Shqipëri aktivitete të këtyre përmasave dhe veçanërisht kur vjen puna për të vendosur piketat e bashkëpunimit të mëtejshëm mes strukturave tona ligjzbatuese, sidomos në hapësirën kaq jetike për ne, Detin Mesdhe.

Fakti që konferenca e Rojeve Bregdetare të Mesdheut zhvillohet për herë të parë në Shqipëri është padyshim një shprehje e vëmendjes së veçantë nga Komisioni Evropian në drejtim të hapësirës Adriatiko-Joniane, ku Shqipëria synon të rrisë kontributin e saj në sigurinë kolektive. Teksa Komisioni i ri pritet të nisë punën, është evidente vigjilenca e shtuar ndaj dimensionit mesdhetar dhe Shqipëria e mbështet fuqishëm këtë përpjekje.

Read Entire Article