Serbia assesi të heq dorë nga Kosova dhe dëmet që po ia shkakton asaj.
Krerët e saj janë deklaruar kaherë se nuk e njohin shtetin e Kosovës dhe luftojnë për “zhbërjen” e saj.
Ata në të gjitha mënyrat po provojnë t’i përndjekin shqiptarët.
Së fundi, Qeveria e Serbisë ka miratuar Projektligjin për organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës.
Sipas këtij ligji, prokuroria speciale dhe trupi gjykues special “do të ndjekin penalisht të gjithë ata që marrin pjesë në persekutimin e popullatës serbe” në Kosovë.
“Zgjidhjet e propozuara ligjore parashikojnë që juridiksionin në lëndët penale në shkallë të parë ta kenë Prokuroria e Lartë Publike dhe Gjykata e Lartë në Beograd, ndërsa për procedurën në shkallën e dytë Prokuroria Publike e Apelit dhe Gjykata e Apelit në Beograd”, ka thënë Qeveria serbe.
Kjo iniciativë e Serbisë nuk u mirëprit nga Bashkimi Evropian që tha se Qeveria atje, me miratimin e këtij projektligji, e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit.
BE-ja e ftoi Beogradin zyrtar që ta rishqyrtojë miratimin e paralajmëruar të tij.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja Nabila Massrali tha se obligimet e Serbisë dhe të Kosovës në lidhje me juridiksionin e autoriteteve gjyqësore, kanë qenë të qarta që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së parë të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, në vitin 2013.
“BE-ja e kujton Serbinë se i ka obligim të gjitha marrëveshjet nga dialogu, të cilat janë pjesë integrale e integrimit të saj evropian, dhe i bën thirrje Serbisë që ta rishqyrtojë projektligjin në përputhje me rrethanat”, tha Massrali.
Edhe Departamenti amerikan i Shtetit tha se pajtohet me Bashkimin Evropian se Serbia ka shkelur detyrimet nga dialogu i Brukselit, duke e miratuar projektligjin për juridiksion gjyqësor në Kosovë dhe duke e shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”.
“Ne përsërisim mbështetjen e Qeverisë amerikane për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës në gjithë territorin e saj”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.
Bajraktari: Kjo më së miri shpërfaqë për të satën herë, faktin se ky regjim është larg nga të qenit demokratik
Avokati Ardian Bajraktari, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se kjo çfarë ka bërë presidenti serb nuk është diçka që duhet të befasohemi sepse dihet se kush është në krye të atij shteti.
Më tej, ai thotë se me këtë veprim ky regjim tregon se Serbia është larg nga të qenit demokratik.
Ardian Bajraktari
“Ndërmarrja e hapave të tillë nga ana e shtetit serb, nuk është diçka që duhet të befasohemi.
Për aq kohë sa në krye të këtij shteti qëndron një person i cili me propagandë dhe jo vetëm i ka shërbyer një regjimi gjenocidal, gjera të tilla janë të pritshme.
Kjo më së mirë shpërfaqë për të satën herë, faktin se ky regjim është larg nga të qenit demokratik dhe me shikim nga e ardhmeje evropiane.
Politika të tilla, mbase për qëllime të konsumit të brendshëm, besoj se nuk do të qëndrojnë gjatë, së paku nuk do të duhej të qëndronin, për faktin se prej elementeve esenciale për rrugën euro-integruese, është edhe fqinjësia e mirë, e veprimet e tilla, shpërfaqin të kundërtën e fqinjësisë së mirë”, deklaron ai.
Tali: Habitem kur i dëgjoj disa shqiptarë ka trumbetojnë për normalizim të marrëdhënieve me "këtë Serbi"
Ish-deputeti Driton Tali, thotë se derisa kjo Serbi është e “sëmurë” edhe Ballkani do të “kollitet”.
Driton Tali
Ky është një veprim në vazhdën e veprimeve hegjemoniste të "kësaj Serbie". Nuk ka të bëjë asgjë me drejtësinë.
“Me këtë akt "kjo Serbi" do që t'i "dëshmojë botës" se kinse në Kosovë komuniteti serb persekutohet dhe në të njëjtën kohë se kinse Kosova akoma më tutje është Serbi.
Andaj, jo kot them unë se "derisa Serbia të jetë e sëmurë i tërë Ballkani do të kollitet!".
"Kjo Serbi" ende është ajo Serbia hegjemone e shekullit 19 dhe 20", thekson ai.
Veprimin e Serbisë ai e quan grotesk, duke thënë se deri tani Serbia ka persekutuar shqiptarë e vazhdon akoma si në Kosovën Lindore, tani ka miratuar ligj për ndjekjen e veprave penale në territorin e Kosovës.
“Shih ti, përkundër të gjitha këtyre mekanizmave mbikëqyrës ndërkombëtarë që i ka Kosova; përkundër një sistemit juridik më të avancuarin në rajon në relacion me të drejtat e njeriut dhe grupeve etnike; përkundër persekutimit që ajo bënë ndaj shqiptarëve në Luginë duke edhe pastruar etnikisht si Medvegjën por edhe tentimet për pastrim etnik edhe të dy komunat tjera; sikurse edhe persekutimet e vazhdueshme që bënë në grupet tjera jo serbe e sihariqeve tjera hegjemoniste enraciste, Serbia miraton Ligj për ndjekjen e veprave penale në territorin e Kosovës!? Sa groteske!
Andaj unë habitem kur i dëgjoj disa shqiptarë ka trumbetojnë për normalizim të marrëdhënieve me "këtë Serbi". Apo disa politikanë ndërkombëtarë kur bëjnë presion mbi Kosovën për kompromise të vazhdueshme në favor të Serbisë duke tentuar që Serbinë ta joshin.
Pa dehegjemonizmim të "kësaj Serbie" kot flitet për stabilizim të Ballkanit Perëndimor e aq më pak për normalizim të marrëdhënieve”, përfundon ai për “Bota sot”.