I dyshuar për krime lufte në Kosovë, Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj një personi

1 year ago 27

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë kundër një personi, i cili dyshohet se gjatë luftës së fundit në Kosovë ka kryer veprën penale të “krimit të luftës kundër popullsisë civile”.

Sipas njoftimit, i pandehuri I.B, i nacionalitetit rom nga Komuna e Klinës, dyshohet se ka kryer këtë vepër nga janari i vitit 1998 deri më 21 qershor 1999 në fshatin Zajm të Klinës. Prokuroria tha se ai iu bashkua forcave policore dhe ushtarake serbe dhe vazhdimisht kishte marrë pjesë në plaçkitjen e popullatës civile, “shtëpive të tyre duke u marrë sende me vlerë, si automjete, bagëti, televizor dhe gjësende të tjera nga shtëpitë e disa banorëve”.

“Gjithashtu, i njëjti kishte marrë pjesë në djegien e shtëpive në fshatin Zajm dhe fshatrat për rreth, me ç’rast në njërën nga shtëpitë e djegura, përkatësisht në shtëpinë e M. A. u gjetën të djegur viktimat B. A. dhe B. K, si dhe nën kërcënimin me armë me qëllim të frikësimit kishte marrë pjesë në dëbimin e banorëve të nacionalitetit shqiptar nga shtëpitë e tyre”, thuhet në njoftim.

Prokuroria shtoi se ka siguruar prova materiale ndaj të dyshuarit, i cili gjendet në arrati, raporton REL.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare të drejtësisë.

Nga viti 2000 deri më 2008, krimet e luftës u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Nga viti 2008, për hetimin e këtyre krimeve përgjegjës ishte Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX). Ndërkaq, nga viti 2018, EULEX-i ka dorëzuar dokumentet për krimet e luftës në institucionet gjyqësore të Kosovës.

Gjatë luftës në Kosovë, në periudhën nga viti 1998 deri në vitin 1999, janë vrarë më shumë se 13.500 persona. Po ashtu, mbi 1.600 persona konsiderohen ende të zhdukur, kryesisht nga komuniteti shqiptar.

Top Channel

Read Entire Article