Por informacionet se kontrabanda e gjedhëve dhe bagëtive të imëta nuk importohet vetëm nga Greqia, por edhe nga Bullgaria, konfirmohen edhe nga veterineri Baki Myrtollari.
Emisioni Vetting në News24 ka zbuluar rastet kur viçat apo bagëtitë të imta hyjnë në territorin shqiptar pa çertifikatat apo matrikullimin, ndërsa shërbimi veteriner nuk vepron.
“Unë kur kam bërë census me të vajtur në zonën e Devollit kam konstatuar edhe një tufë me viça me matrikull bullgar në fshatin Braqe dhe të pa matrikulluar. Në fshatin Sul i ka zënë edhe policia, kam njoftuar edhe Drejtorin e Përgjithshëm Roland Meçaj me shkresë dhe sot ky person i mban viçat atje.
Për këtë janë provat, janë me matrikull bullgar, janë në gjëndje edhe tani që flasim janë të izoluara, kurse shteti, shërbimi veterinar nuk marrin masa.”, u shpreh veterineri Myrtollari
Ai shtoi se këto gjedhë janë të padokumentuara se nga vijnë dhe nuk janë bërë analizat e gjakut për të verifikuar nëse janë me sëmundje infektive ose jo.
Aktualisht Shqipëria nuk eksporton mish në Bashkimin Europian pasi nuk plotëson standartet për sigurinë dhe cilësinë e mishit duke qenë se nuk e ka përshtatur legjislacionin aktual me atë të Komunitetit Europian. Por duket se vetë tregu ynë nuk po i përshtatet legjislacionit të Bashkimit Europian, i cili në këto raste është shumë strikt dhe ndëshkues i rreptë për shkelësit.
Sipas epidemiologut Alimehmeti, Shqipëria duhet të përshtasi ligjet sipas rekomandimeve të Bashkimit Europian përsa i përket konsumit të mishit.
“Është bagëti e cila nuk mund të shërbejë dot për konsum. Ne po shkojmë drejt Bashkimit Europian, po i përafrojmë ligjet, por në fund fare shëndeti një është. Pra, e kemi shumë të qartë që shëndeti si në Shqipëri, si në Bashkimin Europian, si në Azi, shëndeti i njeriut shëndet mbetet.” deklaroi Dr. Alimehmeti.
Sipas Drejtori të Alert, Sokolaj, Shqipërisë i mungon vullneti për ta zgjidhur një çështje nga fillimi deri në fund.
“Ne nuk e kemi çështjen tek legjislacioni, ne na mungon zbatimi i legjislacionit për të garantuar një zinxhir të sigurisë ushqimore nga ferma në tavolinë.“, tha Sokolaj.
Në listën e rekomandimeve nga Komisioni Europian, siguria ushqimore ka kapitullin e vet nr. 12, ku një nga kushtet që duhet të plotësojmë për të qenë pjesë e komunitetit europian kalon nga krijimi i sigurisë ushqimore për vet vendin.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb