Asociacioni i komunave me shumicë serbe është kthyer në qendër të vëmendjes, pasi diplomatë e zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, kanë shtuar presionit ndaj Qeverisë së Kosovës, për ta themeluar atë.
Kjo pikë po vlerësohet si vendimtare dhe mjaft e rëndësishme për mbarëvajtjen e dialogut me Serbinë, si dhe synimet e Kosovës për anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare.
Themelimi i Asociacionit është kritikuar tash e sa vite, që kur ish-qeveritë e kaluara e kishin sjell në tavolinë të bisedimeve, gjë që nuk është mbështetur aspak.
Kosova dhe Serbia janë pajtuar për themelimin e Asociacionit prej vitit 2013. Më 2015, u arrit edhe Marrëveshja mbi parimet për themelimin e këtij asociacioni. Ndërsa, vitin e kaluar, ato e pranuan Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve, dhe një nga pikat e saj kërkon që komunitetit serb në Kosovë t’i ofrohet një nivel i caktuar i vetëmenaxhimit, përkatësisht Asociacioni.
Për “presionin e BE-së” lidhur për dërgimin në Kushtetuese të draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka folur edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Ai është shprehur se Bashkimi Evropian nuk ka të drejtë që ta propozojë draftin e asociacionit ne emër të Kosovës, ngase sipas tij, në këtë mënyrë shkelen të drejtat e Kosovës si shtet i pavarur.
“Nuk mundet në vend të Kosovës me e propozu draftin e asociacionit Bashkimi Europian. Kjo i bie që Bashkimi Europian grabitë një kompetencë shtetërore të Kosovës, një kompetencë për të cilën edhe vetë Brukseli në negociatat që i ka organizuar e ka të shkruar në njërën prej marrëveshjeve”- ka thënë Konjufca.
Por, çfarë fshihet pas këtij presioni të ndërkombëtarëve dhe sa do e dëmtonte themelimi i një Asociacioni të tillë shtetësinë e vendit dhe sovranitetit?
Batusha: Modeli kroat është për mendimin tim model i përshtatshëm
E në lidhje me këtë temë për “Bota sot” ka folur deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Agon Batusha.
Së pari, ai u shpreh se ka shumë marrëveshje e çështje tjera që duhet zbatuar e zgjidhur, para Asociacionit.
Agon Batusha
Në këtë pilë, ai përmendi edhe faktin se shteti serb as që e ka pranuar marrëveshjen e Ohrit.
“Ka shumë çështje që duhen zgjidhur dhe shumë marrëveshje tjera të cilat duhet zbatuar para asociacionit. Nuk mund të kërkohet që një marrëveshje të trajtohet në mënyrë më të veçantë se tjerat.
Serbia ka pa numër marrëveshje që nuk i zbaton, madje nuk pranon as që të diskutohet zbatimi i tyre. Është po e njëjta që nuk ka pranuar marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit. Atëherë mbi çfarë baze duhet t’i zbatojmë marrëveshjet, ku pala tjetër nuk e pranon ekzistimin e “marrëveshjes””.
Gjithashtu, Batusha theksoi se modeli i Asociacionit që është bërë gjatë viteve 2013-2015, ka vdekur.
Sipas tij krijimi i asociacioneve është i rregulluar me ligj e Kushtetutë.
“Ndër marrëveshjet e 2013-ës dhe më pas 2015-ës është Asociacioni, i cili praktikisht me atë model ka vdekur.
Në anën tjetër Kushtetuta dhe Ligji për te drejtën e asociimit, lejon krijimin e asociacioneve/shoqatave/organizatave për të cilat ka kritere bazuar në ligjet e BE-së. Andaj, askush nuk ua ndalon qytetarëve të Republikës të drejtën e asociimit, përderisa janë në përputhje me kushtetueshmërinë dhe ligjet e vendit”, nënvizoi ai.
Në fund, deputeti i LVV-së shembull për draftin e Asociacionit e mori modelin kroat, ku e vlerësoi si shumë të përshtatshëm.
“Modeli kroat është për mendimin tim model i përshtatshëm për qytetarët serbë të Kosovës. Kemi të njëjtën histori me Kroacinë dhe kemi të njëjtën çështje, pra jetën e serbëve brenda territorit të Republikës. Ai model i asociacionit është më se i përshtatshëm për kërkesat e serbëve dhe natyrisht nuk ka ingarenca të cilat në të ardhmen mund të jenë rrezik për stabilitetin, sovranitetin dhe territorin e Republikës së Kosovës”, përfundoi Agon Batusha për “Bota sot”.
Azemi: Kosova nuk duhet t’i nënshtrohet çdo presioni të BE-së që kalon nëpërmjet Beogradit
Kurse, në lidhje me këtë temë ka folur edhe publicisti Emin Azemi.
Sipas tij, BE ka shtuar presionet edhe për shkak se janë shumë afër të ndodhin ndryshimet në krye të institucioneve të saj.
Emin Azemi
Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” i përmendi ardhjet e Kaka Kallas dhe Riho Terras.
“Presioni po ndodh në prag të rotacionit që pritet të kryhet në krye të institucioneve të BE-së dhe ata që deri më tani janë mësuar me presione, do të vazhdojnë edhe ndonjë ditë. Por, mendoj se qasja e Brukselit ndaj Kosovës do të ndryshojë, sepse politika e Jashtme dhe e Sigurisë e BE-së do të udhëhiqet nga ish-kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, ndërkohë që edhe ish-ushtaraku estonez, tani eurodeputet, Riho Terras nga Partia Popullore Evropiane (PPE), Riho Terras, pritet të emërohet raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian”.
Në këtë pikë ai pret të ndodhin ndryshime pozitive në favor të Kosovës, pasi beson se Kallas do ketë krejt qasje tjetër krahasur me Borellin.
“Angazhimi i zonjës Kalas në dizajnimin e politikave të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së do të ketë edhe një vulë personale të saj, për shkak të përvojave të hidhura të vendit të saj në periudha të ndryshme të historisë në raport me Rusinë, ku kjo e fundit ka qenë për shumë dekada ferri dhe burgu i popujve jorus përgjatë Baltikut, pjesë e të cilit ishte edhe Estonia.
Nga kjo qasje e re e zonjës Kalas sigurisht që, shumë shpejtë, do të përfitojë edhe Kosova, e cila nuk do të jetë e detyruar që t’i nënshtrohet çdo presioni të BE-së që kalonte nëpërmjet Beogradit. Kjo edhe për faktin se Kaja Kallas do të jetë antipodi i Jozef Borelit, i cili qasjen ndaj Kosovës e kishte shumë subjektive sepse ai vuante nga kompleksi i Katalonisë. Fatkeqësisht politika e jashtme dhe e sigurisë e BE-së është udhëhequr nga një diplomat i cili problemet e hapura të Kosovës me Serbinë i trajtonte me syzat e një politikani spanjoll që sa e herë që e shikonte Kosovën, para sysh i dilte Katalonia”, nënvizoi publicisti.
Gjithashtu, Azemi përmendi edhe Lajçakun dhe politikat e tij karshi Kosovës, ku me këtë rast theksoi se të gjithë ara që e kanë kritikuae Kurtin kanë gabuar, pasi nuk janë marrë me jofleksibilitetin e emisarëve dhe njënshmërinë e tyre.
“Ngjashëm ishte puna edhe me sllovakun Miroslav Lajçak, një diplomat që vjen prej një shteti, i cili nuk e ka njohur shtetin e Kosovës. Të presësh nga ky diplomat që të ketë qëndrim ndryshe nga shteti i tij për Kosovën, kjo nuk është vetëm iluzore, por edhe donkishoteske. Prandaj të gjithë ata që e kanë kritikuar Kryeministrin Kurti për gjoja mungesë fleksibiliteti në raport me ndërkombëtarët, fare nuk janë marrë me jofleksibilitetin e Borelit dhe Lajçkaut, të cilët edhe sot kur po flasim ende nuk e kanë detyruar Serbinë ta heqë Kosovën nga kushtetuta e saj, ende mbi 1000 të pagjetur, Serbia nuk i dorëzon në Kosovë dhe ende Serbia nuk është sanksionuar për sulmin në Banjskë. Serbinë madje nuk e kanë detyruar të vendos sanksione kundër Rusisë për agresionin në Ukrainë Të gjitha këto sjellje irracionale të Serbisë në raport me Kosovën dhe me Europën, kanë ndodhur në saje të qasjes asimetrike të Borelit dhe Lajçakut ndaj Prishtinës dhe Beogradit, dhe ishin pikërisht këta dy politikanë të Brukselit që stimuluan euroskepticizmin dhe e njollosën imazhin e BE-së në sytë e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe ata të Kosovës”.
Më tej, publicisti potencoi rreziqet që i kanosen Kosovës me themelimin e Asociacionit.
Sipas tij, Beogradi nuk po kërkon të drejta për serbët e Kosovës, por po synon më shumë territor për planin e “Botës serbe”.
“Çdo entitet që ngrihet mbi baza (një) etnike dhe që në themel të saj ka atribute ekzekutive, është një pykë e rrezikshme që prish konceptin unitar të shtetit të Kosovës dhe rrezikon humbjen e sovranitetit në një pjesë të territorit të saj. Statusi i serbëve të Kosovës ka qenë i zgjidhur për mrekulli në Pakon e Ahtisarit, mirëpo negocuesit e mëparshëm të Kosovës në Bruksel që kanë bërë koncesione për t’iu dhënë serbëve të drejta jashtë çdo konvente ndërkombëtare mbi pakicat, i kanë bërë një shërbim kolosal Serbisë në përpjekjet e saj për ta bosnjizuar Kosovën sipas modelit të Republika Serpska. Në fakt, Beogradi nuk po kërkon më shumë të drejta për serbët e Kosovës, por po kërkon më shumë territor për të shtrirë projektin fantom “Bota serbe”. Nëse Asociacioni formohet ashtu siç po e kërkon Beogradi, i bie që Kosova duhet të heqë dorë vullnetarisht nga një pjesë e sovranitetit të saj territorial, duke e rrezikuar shumë seriozisht të ardhmen e saj”, shpjegoi Azemi.
Në fund, tha se ka shumë modele që mund të ndiqen për zgjidhjen e kësaj çështje, derisa shtoi se Kosovës po i kërkohet “ngjizja” e një mostre që rrezikon sovranitetin e saj.
“Ka shumë modele në botë ku shtetet multietnike funksionojnë pa qenë të rrezikuar nga mbivendosja e ndonjë pakice mbi interesat nacionale të atij shteti. Zvicra, Belgjika, Finlanda, Kanadaja, madje edhe Kroacia, i kanë zgjidhur në atë mënyrë çështjet identitare të pakicave, siç është gjuha, simbolet kombëtare, kultura dhe tradita, duke mos qenë të detyruar të heqin dorë nga atributet themelore të shtetformësisë së tyre.
Nuk e kam të qartë se pse nga Kosova kërkohet diçka që asnjë shtet normal demokratik në Europë nuk ia lejon vetes që të bëhet peng i ambicieve iracionale të pakicave. Kjo për faktin se në embrionin e kërkesave të serbëve të Kosovës synohet ngjizja e një monstre që do ta rrënonte funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Qeveria dhe gjithë spektri politik i Kosovës duhet të bëhen bashkë në gjetjen e një modeli sa më të përshtatshëm që do të ishte në frymën evropiane të zgjidhjes së çështjes së pakicave dhe në frymën e mbrojtjes së interesave nacionale të Kosovës. Çdo shmangie nga këto korniza, shpie në procese të dëmshme për ekzistencën dhe ardhmërinë e shtetit të Kosovës”, përmbylli Emim Azemi për “Bota sot”.