Për të shtuar sigurinë dhe parandaluar ngjarje me pasoja në akset rrugore kombëtare, është krijuar dhe ka nisur funksionimin Trupa e Ndërhyrjes Teknike (TNT), e përbërë nga Policia e Shtetit, Urgjenca Kombëtare dhe Shërbimi Zjarrfikës.
TNT do të jetë e lëvizshme dhe do të monitorojë akset me risk të shtuar. Njësia e re u prezantua në Llogara, Vlorë, gjatë një takimi që ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi me drejtues të strukturave përkatëse dhe praninë e Prefektit të qarkut, Kryetarit të Bashkisë etj.
“U mundësua në kohë rekord paketa e masave për një sezon turistik të sigurt, përfshirë TNT, Trupa e Ndërhyrjes Teknike (Polici, Urgjenca, MZSH). Kjo është një zgjidhje e ofruar nga partnerët, për të garantuar ndërhyrje në kohë, urgjenca në raste incidentesh, shoqëruar nga Shërbimi Zjarrfikës dhe Policia e Shtetit”, tha Balla.
Një ditë pas hapjes së Tunelit të Llogarasë, tha ministri, duhet të shoqërohet me masat e sigurisë dhe shërbim zjarrfikës 24 orë, për të parandaluar ngjarje në raste aksidentesh.
“Vlora ishte qarku më i madh me intensitet turistik në 2023, por edhe pritshmëritë për këtë vit janë të larta. Sot janë në rrugët tona 950 mijë makina, të targuara me targa shqiptare. Ne presim rritje me 30% të mjeteve me targa të huaja, nga 2.8 milion që ishin vjet, në 3.6 milion; shtuar dhe mbi 900 mijë me targa shqiptare që do qarkullojnë në rrugët tona. Ajo që ka ndodhur është se janë shtuar numri i mjeteve nga njëra anë, por është ulur numri i incidenteve rrugore edhe për shkak të punës së qeverisë, sa i përket në bindjen time, cilësisë së rrugëve. Kjo duhet të shoqërohet edhe me shumë masa shtesë nga Policia Rrugore në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, për të kontrolluar sigurinë rrugore. Edhe Tuneli i Llogorasë do të mbulohet me radarë. Dua të bëj një thirrje, që çdo shkelje e shpejtësisë të ndëshkohet, sepse vetëm kështu garantojmë sigurinë e jetës së çdo përdoruesi rruge”, ishte apeli i ministrit të Brendshëm.
Në përgjigje të kërkesës së Drejtorit të Urgjencës Kombëtare, për nevojën për trajnime të kësaj trupe, e jo vetëm, Balla tha se TNT që nga java e ardhshme, do t’i nënshtrohet programeve të trajnimit në Akademinë e Sigurisë.
Veç shtimit të angazhimit të strukturave për rritje të besimit të publikut, Balla deklaroi se po punohet që të ketë përmirësim të trajtimit financiar, veç strukturave të sigurisë e enteve të tjera publike, edhe për punonjësit e pushtetit vendor.
“Shqipëria do ta mbyllë 2024 me plus 14 milion turistë, ky është parashikimi me një rritje 40%. Shqipëria sot konkuron jo vetëm me fqinjët, e kjo edhe me sigurinë. Sa herë pyetet një i huaj, çfarë të pëlqen veç bukurisë, e mikpritjes së pankonkurueshne, është siguria. Falë punës së PSh, dhe agjencive të tjera ligjzbatuese kemi një rritje të dukshme të indikatorit parësor, që është besimi tek Policia, me 3 nga 4 qytetarë, me besim të plotë. Edhe pse u them drejtuesve të PSh, duhet të synojmë besimin e çdo qytetari e për këtë na duhet të punojmë e bëjmë më shumë edhe ne, për trajtimin e duhur financiar për punonjësit. Në korrik kemi hyrë në muajin ku punonjësit e shërbimeve publike marrim rritje page, por duhet të konsolidohet. Po mendojmë që edhe pushteti vendor të ketë rritje. Ky sezon do të sjellë më shumë të ardhura, e këtë ndihmojnë ekonominë”, nënvizoi ministri.
Gjatë takimit, ministri i Brendshëm kishte një apel për çdo qytetar dhe strukturë, për të parandaluar zjarret, e ndëshkuar ashpër zjarrvënësit.
“Për sezonin e zjarreve, dua të lë disa porosi. Në tërësinë e tyre janë të qëllimshme, që nga djegia e tokave për pastrim etj. Ne me ligj e kemi detyruar që të marrë leje edhe për të djegur disa mbeturina. Rastet e fundit të zjarreve në Vlorë janë identifikuar autorët në 2 nga 3 rastet, thirrja ime është për prokurorinë e gjykatat, të marrin përgjegjësitë që u takojnë. Zjarret jo vetëm rrezikojnë pronën por edhe jetën, e kujtdo”, tha ai.
Në mbyllje kishte edhe një mesazh për qeverinë lokale.
“Dua të garantoj çdo pushues se Policia, Urgjenca dhe MZSh do të garantoj siguri. Patëm 800 operacione kërkim vjet, për pushues që kishin humbur rrugën. Ndaj pushteti vendor është përgjegjës për vendosjen e tabelave të rrezikut, për turistët, siç janë përvoja e vendeve të tjera”, theksoi ministri Balla.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb