Kurti në Samitin e Berlinit: Kosova vazhdon të kërcënohet me invazion nga Serbia! Ne përqafojë një të ardhme më të ndritshme

1 year ago 11

Fjala e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Samitin e Berlinit, që u mbajt në Tiranë.

“I dashur Kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama,
I dashur Kancelari Scholz,
E dashur Presidente e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen,
I dashur President i Këshillit Evropian, Charles Michel,
Kolegë kryeministra dhe presidentë,

Është më vend që Samiti i Procesit të Berlinit, i themeluar për të rritur bashkëpunimin dhe për të krijuar marrëdhënie të mira fqinjësore mes shteteve të Ballkanit Perëndimor – po mbahet në Tiranë. Falënderoj kryeministrin Rama dhe kancelarin Scholz për organizimin e këtij samiti.

Në një sulm terrorist kundër Kosovës më 24 shtator, një nga zyrtarët tanë policorë u vra, por autorët akoma enden të lirë në Serbi edhe pse publikisht e pranuan përfshirjen e tyre. Ky ishte një akt i ligë sponsorizuar nga Serbia, siç tregojnë provat e pakundërshtueshme. Ne kemi konfiskuar mbi 5 milionë euro armatim të sofistikuar dhe municione të prodhuara në Kragujevc dhe Çaçak. Katër herë në dy vitet e fundit Serbia ka sjellë ushtrinë e saj në kufirin tonë.

Edhe njëzet e pesë vite pas fushatës gjenocidale, dhe pas kaq shumë raundeve të dialogut, Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia. Ky moment na kërkon të reflektojmë dhe të mos e vazhdojmë punën si zakonisht. Një akt i tillë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar.

Të dashur miq,

Qytetarët në Ballkanin Perëndimor sot nuk duhet të jetojnë nën frikën e një konflikti nesër, por të punojnë për një të ardhme së bashku. Ne si udhëheqës të tyre kemi përgjegjësinë për të ndërtuar atë të ardhme të përbashkët. Dhe si udhëheqës, ne duhet të përfshihemi në atë proces me mirëbesim. Kërkohet një angazhim me mirëbesim për të garantuar efektivitetin afatgjatë të marrëveshjeve tona dhe respektimin e të gjitha palëve të investuara në proces.

Vitin e kaluar, ne nënshkruam tre marrëveshje mobiliteti, një hap i rëndësishëm drejt rezultateve të prekshme. Përderisa që e vlerësoj progresin, ai do mund të ishte edhe më i shpejtë. Fatkeqësisht, mospërfillja e një marrëveshjeje kyçe për lirinë e lëvizjes nga ana e Bosnjës dhe Hercegovinës do të thotë se vazhdon kushti për viza ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës.

E mirëpres marrëveshjen e re për profesionet e reja për infermierët, kirurgët veterinarë, mamitë dhe farmacistët, dhe mirëpres marrëveshjet e ardhshme që zgjerojnë edhe më tej gamën e profesioneve të përfshira.

Ne mbështesim “Planin me katër hapa” të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor nga Presidentja e Komisionit Evropian. BE-ja mund të reformohet dhe të zgjerohet. Unë gjithashtu besoj se përfitimet e Tregut Unik të BE-së duhet të lidhen me reformat ekonomike dhe demokratike. Nuk duhet të ketë përfitime të BE-së dhe as fonde të BE-së, pa vlerat të BE-së.

Ne jemi të vetëdijshëm për hendekun thelbësor të standardeve të jetesës me BE-në, i cili do të kërkojë kohë për t’u mbyllur. Së bashku, ne duhet të vazhdojmë të punojmë drejt rritjes së qëndrueshme për rajonin tonë. Kosova, një demokraci e gjallë, është e përgatitur të përballet me sfida të reja dhe të përqafojë një të ardhme më të ndritshme. Në këtë drejtim, ne jemi të kënaqur që kemi krijuar Observatorin e Konvergjencës.

Top Channel

Read Entire Article