Legjenda belge jep gjashtë emra të cilët do të dominojnë të ardhmen për Topin e Artë

11 months ago 27

Sa herë përmendet ‘Topi i Artë’ interesimi i tifozëve është i jashtëzakonshëm, teksa Lionel Messi këtë vit e fitoi për herë të tetë në karrierën e tij.

Nga viti i ardhshëm gara për Topin e Artë pritet të jetë fantastike dhe shumë e ngushtë pasi dominimi i Messit dhe Ronaldos ka mbaruar dhe shumë lojtarë të rinj janë në garë për këtë çmim.

Mbrojtësi legjendar belg, Jan Vertonghen i cili aktualisht luan te Anderlecht ka thënë se nuk do të ketë më dominim nga dy futbollistë, por ka dhënë gjashtë emra të cilët do janë favorit për ta fituar Topin e Artë në të ardhmen.

“Unë nuk mendoj se do të jenë dy djem që do të dominojnë Topin e Artë  për 15 vitet e ardhshme”, ka thënë për Stats Perform Jan Vertonghen duke iu referuar dominimit të Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos .

“Ka shumë talente masive. Natyrisht, ju keni  Haaland dhe  Mbappe tashmë atje për disa vjet, por pastaj nëse shikoni Jude Bellingham , çfarë po bën ai tani, Jamal Musiala, unë e dua atë. Phil Foden,  Vinicius Junior janë dy futbollistë të tjerë të mrekullueshëm”, tha Vertonghen.

Gjithsesi mbrojtësi belg ka thënë se shpreson që një mbrojtës apo një portier ta fitoj një ditë Topin e Artë.

“Këta janë djemtë e rinj. Shpresoj që një ditë një mbrojtës apo edhe një portier mund të fitojë. Thibaut Courtois ishte shumë afër vitit që Real Madrid fitoi Ligën e Kampionëve,” tha gjithashtu 36-vjeçari.

Gjithnjë e më shumë lojtarë dhe ekspertë fillojnë të mbështesin Jude Bellingham dhe Vinicius Junior për të fituar Topin e Artë një ditë, megjithëse shumë prisnin dominimin afatgjatë të Erling Haaland dhe Kylian Mbappe.

Anglezi është tashmë ndër kandidatët më të nxehtë për të fituar çmimin në vitin 2024 duke marrë parasysh formën e tij të shkëlqyer këtë edicion me fanellën e Real Madridit. /Telegrafi/

Read Entire Article