Macron: Ribashkim i Evropës! Presidenti i Francës: Rrugë e pakthyeshme e Shqipërisë në BE

1 year ago 19

Në konferencën për shtyp që në fillim kryeministri Edi Rama nuk e fshehu të qenurit i lumtur se  pas një pritjeje shekullore, që në Shqipëri vjen për një vizitë bilaterale shefi i shtetit francez.

I kërkoi Emanuel Macron dhënien fund të ankthit dhe pasigurisë të shkaktuar në rajon prej  vështirësisë së brendshme të Bashkimit Evropian për t’u zgjeruar në rrugën tradicionale

 Edi Rama: Prania e Presidentit konfirmon besimin se rruga evropiane e Shqipërisë dhe rritja e Shqipërisë në ambicien për tu bërë Evropa e Ballkanit është e pakthyeshme. Dhe sot dua ta përsëris përpara presidentit që ne do përpiqemi në vijimësi që të mos jemi një nga gjashtë pjesët e Ballkanit që është evropiane kur flet me Evropën dhe ri bëhet ballkanike kur flet me pesë pjesët e tjera. Ne duam të jemi këtu në Ballkan referenca evropiane e këtij komuniteti ballkanik dhe do vazhdojmë të investohemi për ta mishëruar Evropën sepse në fund fare procesi i integrimit, procesi i zgjerimit, procesi i ribashkimit janë procese që kanë vlerë për sa kohë transformojnë vetveten.

Presidenti Macron e nisi me një autokritikë kur tha se  ishte një gabim i thellë që prej vitit 1912 dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, nuk kishte ardhur asnjë President i Republikës Franceze. Ndryshe nga disa vite më parë kur Franca dhe Holanda ishin udhëheqëse të bllokimit të integrimit të Shqipërisë në BE, Emanuel Macron në Tiranë përcolli një qasje mbështetëse.

 Emanuel Macron: Unë jam i bindur që vendi juaj është i ankoruar në Evropë, jo vetëm në këtë zonë ku deshën t’iu mbyllnin shumë herë ndërsa ju kishit atë karakterin tuaj të veçantë të Ballkanit Perëndimor, por gjithashtu në Mesdheun tonë, në zemër të kontinentit tonë. Para 20 vitesh, shumë vende u bashkuan në Bashkimin Evropian dhe në vitin 2022 ju shënuat një etapë të rëndësishme me Konferencën e Parë Ndërqeveritare për të cilën ju punuat shumë dhe që shënoi atë rrugë, tani të pakthyeshme, të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Jemi në një moment ku duhet t’iu japim juve dhe gjithë rajonit një vizibilitet historik. Po, e ardhmja juaj është plotësisht në këtë Evropë. Unë e them nga Franca, ky ribashkim evropian është i mirë për ne sepse kush mund të flasë për Evropën si fuqi nëse ne lëmë në mes të Evropës vende që ndikohen nga fuqi që duan thjesht shkatërrimin e Evropës?  Procesi i zgjerimit që ka filluar është mirë për ju dhe është mirë për ne. Komuniteti Politik Evropian është një etapë e parë, por shpresoj që në muajt e ardhshëm ne si evropianë të dimë të gjejmë rrugën e ribashkimit që na bën të mundur ta bëjmë këtë lëvizje, plotësisht të pakthyeshme dhe të fuqishme.

Presidenti Macron ishte kritik me proceset integruese në Serbi kur tha se   ka hyrë prej shumë vitesh në këtë proces dhe po ecën shumë ngadalë. U ndal edhe në tensionet në Veri të Kosovës.

 Emanuel Macron: Franca dhe Gjermania kanë bërë një propozim udhërrëfyes që unë mendoj se është i fortë dhe i mirë dhe presim që të respektohen nga të dyja palët. Mendoj se është përgjegjësia e zotit Vuçiç që të dënojë prerazi aktet e 24 shtatorit sepse kontribuon në rikthimin e qetësisë në kufi dhe më pas etapat e ardhshme dhe ajo çka presim nga autoritetet kosovare dhe serbe është e thjeshtë; riorganizimi i zgjedhjeve në komunat ku këto u bënë në kushte të papërshtatshme, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje dhe në institucione, njohjen e asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare. Sipas kësaj radhe, plotësisht dhe totalisht dhe pres që presidenti Vuçiç të jetë përgjegjës, pres të njëjtën gjë nga presidentja dhe kryeministri kosovar.

Emanuel Macron: E them me shumë qartësi; ne u kemi besuar për çështjen e vizave, çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk po mbahet. Pres që të angazhohen të dyja palët që të ecin përpara në javët e ardhshme. Është kushti i paqes në të gjithë zonën.

 Por zyra e presidentit Macron sqaroi se deklarata presidentit Macron lidhej me tensionet Kosove-Serbi dhe se çështja e vizave mbetet e hapur.

Presidenti Francez më pas vizitoi ambientet e piramidës. Mori pjesë bashkë me kryeministrin Edi Rama në inaugurimin e vilës 31 në një rezidencë artistësh.

Top Channel

Read Entire Article