Manastirliu në Universitetin e Arteve: Status i veçantë dhe buxhet i dedikuar për shkollat artistike

10 months ago 8

21 Nëntor, Tiranë- Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, ka vijuar turin e dëgjesave për arsimin e lartë, me pedagogë në Universitetin e Arteve. Gjatë këtij takimi, Ministrja Manastirliu ka bërë me dije politikën e re që do të ndërmarrë Ministria e Arsimit dhe Sportit, në drejtim të shkollave artistike, për t’u dhënë status të veçantë, me buxhet të dedikuar, për një formim sa më të mirë të talenteve, që më pas do të ndjekin Universitetin e Arteve.
“Kemi vendosur që, edhe në kuadër të ligjit për arsimin parauniversitar, të kemi statuse të veçanta të shkollave artistike. Ky status i veçantë do shoqërohet edhe me buxhete specifike, në mënyrë që të kenë mundësi të furnizohen me bazë materiale në mënyrë të vazhdueshmë, të investojmë në këto shkolla sa i përket mjeteve të punës që duhen, qoftë për drejtimin muzikor, artin pamor, artit skenik, për t’i përgatitur nxënësit që të kualifikohen dhe të vijnë në arsimin e lartë”,- theksoi Ministrja Manastirliu.

Gjatë takimit me pedagogë të fakulteteve të Universitetit të Arteve, pedagogët kanë kërkuar mbështetje për gradat dhe titujt shkencorë.

“Në vlerësimin tonë, ju jeni një ndër universitetet me potencialin më të madh dhe jeni një universitet unik, ndaj ne jemi duke punuar që t’ju mbështesim edhe për gradat dhe titujt shkencor, mbi bazën e asaj që ju keni propozuar. Për marrjen e titujve dhe gradave shkencore, ne jemi duke punuar në një akt specific, i cili është për të gjithë arsimin e lartë, sa i përket gradave dhe titujve që ju do të merrni, bazuar mbi specifikat tuaja, mbi punimet dhe mbi krijimtarinë e artistëve”,- u shpreh Ministrja Manastirliu.
Pedagogët e Universitetit të Arteve diskutuan gjithashtu për përmirësimin e kurrikulës në shkollat me drejtim artistik dhe edukimin në vazhdim të mësuesve të këtyre shkollave, pranë Universitetit të Arteve. Pedagogët e arteve, së bashku me Ministren e Arsimit dhe Sportit, ndanë idetë dhe sugjerimet për nxitjen e kërkimit shkencor dhe fondin e dedikuar për shkëmbimet dhe ndërkombëtarizimin, vendosjen në profesione të rregulluara të diplomave të arteve dhe përmirësimin e kurrikulës në drejtim të artit dhe muzikës në arsimin parauniversitar.

Read Entire Article