Kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u takuan në Baku me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.
Rama dhe Balluku nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Albgazit dhe kompanisë shtetërore të naftës në Azerbajxhan, SOCAR, për zhvillimin e infrastrukturës së gazifikimit të qytetit të Korçës.
“Baku, Azerbajxhan – Pas nënshkrimit të marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara për krijimin e kompanisë së përbashkët publike të energjisë, u zhvillua takimi me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev ku nënshkruam memorandumin e bashkëpunimit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Albgazit dhe kompanisë shtetërore të naftës në Azerbajxhan, SOCAR, për zhvillimin e infrastrukturës së gazifikimit të qytetit të Korçës, për të cilën janë kryer studimet paraprake e do të nisë puna për projektin e detajuar inxhinierik”, shkruan Rama në Facebook.
Ndërkaq, Balluku deklaroi se projekti do të nisë në vitin 2025. Ajo e cilësoi projektin një lajm të mirë jo vetëm për Korçën, por për të gjithë Shqipërinë.