Ka ndërruar jetë Arlind Bushati, që së bashku me Hamza Licin u qëlluan me armë zjarri nga një makinë tjetër në lëvizje në Dobraç.
Bushati u qëllua me dy plumba në kokë, ndërsa u dërgua në gjendje kritike për jetën në spital. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, 32-vjeçari nuk ia doli dot të jetojë.
Nga atentati i ndodhur sot në Dobraç të Shkodrës ka mbetur i vdekur Hamza Lici dhe Arlind Bushati, që kanë qenë edhe objektivë të autorëve.
Hamza Lici ishte vëllai i Ibrahim Licit, që dyshohet se ndodhet në Turqi, shpallur në kërkim nga shteti shqiptar për vrasjen e Endri Mustafës. Ndërsa, Arlind Bushati është djali i Xhemal Bushatit, ish-kandidat i PD për Bashkinë e Shkodrës. Arlind Bushati disa javë më parë kishte deklaruar në polici se ishte kërcënuar me jetë.
Nuk dihet shkaku i atentatit që i mori jetën Hamza Licit dhe një kalimtareje, por ka dyshime për hakmarrje për shkak të konflikteve të fisit Lici me fise të tjera në Shkodër.
Disa orë pas atentatit u gjet i djegur një “Range Rover” i dyshuar i përdorur nga autorët në atentat.
Njoftimi i policisë:
Shkodër/Informacion shtesë
Në vijim të informacioneve të dhëna më parë për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, ju informojmë se ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër, si pasojë e plagëve të marra edhe shtetasi A.B., 32 vjeç.
Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon punën për zbardhjen e rrethanave, sigurimin e provave me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
(Balkanweb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb