Kuvendi i Shqipërisë pritet të miratojë ndryshimet e dakordësuara mes PD dhe PS në Kodin Zgjedhor që do të aplikohet në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës.
Referuar draftit të dakordësuar pragu elektoral për subjektet ose koalicionet në nivel kombëtar do të jetë 1 % e votave kombëtare. Kjo do të thotë se në llogaritjen e ndarjes së mandateve, subjektet apo koalicionet që kanë më pak se 1 % të votave kombëtare, nuk do të mund të marrin përfaqësim në Parlament.
Ulja e pragut elektoral mund të bëjë që në Kuvendin e ardhshëm të ketë një përfaqësim më të madh të numrit të subjekteve, nëse ata do të mund të marrin numrin e votave në rang kombëtar, që kalon 1%, sikundër e përcakton pragu.
Një tjetër risi ose ndryshim ka të bëjë me hërësin e ndarjes së mandateve. E ndërsa në zgjedhjet e kaluara, herësi ndryshonte nga qarku në qark, referuar numrit të zgjedhësve dhe mandateve që kishte qarku në total, në 2025-ën, herësi nuk do të jetë më shumë se 7 mijë vota.
Ky ndryshim në vetvete përafron barazinë e votës nga qarku në qark, ose nga rajoni në rajon, duke shmangur në këtë mënyrë ngërçin e krijuar nga zgjedhjet e mëparshme, dhe mund të shërbejë për një ndarje më të drejtë mandatesh, bazuar në numrin e votave.
Po kështu në ndryshimet e Kodit përcaktohet se lista me emrat e kandidatëve sipas zonave zgjedhore depozitohet në KQZ jo më vonë se 50 ditë nga data e zgjedhjeve, duke shmangur në këtë mënyrë depozitimin e listave në limitet kohore, sikundër ka ndodhur rëndom me zgjedhjet në Shqipëri, kur listat e kandidatëve depozitoheshin në momentet e fundit, si një surprizë, për partitë politike.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb