“Parandalimi i pastrimit të parave dhe korrupsionit transnacional” ishte tema e tryezës së radhës për konsultimin e Draftit Analitik të hartuar së ekspertëve të atashuar pranë Komisionit të Posaçëm për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit. Takimi u moderua nga znj. Nirvana Deliu, eksperte pranë “Lëvizjes Europiane në Shqipëri” dhe në të u diskutuan gjetjet e ekspertëve mbi situatën aktuale, arritjet dhe problematikat e evidentuara lidhur me masat për parandalimin e financimeve të paligjshme dhe pastrimit të parave, si dhe çështjet ku ata sugjerojnë se kanë nevojë për ndërhyrje.
Prezantimi i gjetjeve kryesore lidhur me masat të karakterit ligjor dhe institucional, të lidhura ngushtësisht me luftën kundër formave të tjera të kriminalitetit që gjenerojnë të ardhura të jashtëligjshme, brenda apo jashtë vendit si:krimi i organizuar, korrupsioni, evazioni fiskal, u bënë nga Prof. Asoc. Dr. Skerdian Kurti, pedagog pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe Prof. Asoc. Dr. Ledjon Shahini, pedagog pranë Fakultetit të Ekonomisë.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga universitetet publike e jobulike, shoqëria civile, institucionet e pavarura, agjencitë ligjzbatuese, Banka e Shqipërisë, institucionet e konsideruara me risk të lartë për pastrimin e parave si: Tatimet dhe Dogana, përfaqësues të dhomave të biznesit, përfaqësues të shoqatave të kontabilistëve, studentë nga universitetet publike dhe jo-publike, anëtarë të Komisionit të Posaçëm etj. Të pranishëm në tryezë ishin gjithashtu edhe ekspertë dhe përfaqësues të huaj të atashuar pranë Komisionit nga: Delegacioni i BE-së, Prezenca e OSBE-së, Ambasada Franceze, Ambasada Britanike, UNDP, etj.
GJETJET E EKSPERTEVE
Sipas ekspertëve Shqipëria ka shënuar progres për sa i përket kuadrit ligjor në fushën kundër pastrimit të parave, çka është konfirmuar nga institucionet ndërkombëtare dhe raportet: Moneyval, FATF, Progres Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë, Screening – 2023, etj, megjithatë ka ende nevojë që legjislacioni shqiptar të harmonizohet plotësisht me legjislacionin e BE në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave.
Një tjetër pikë kyçe sipas ekspertëve është forcimi i masave për rikuperimin e pasurive të përfituara nga veprimtaritë kriminale, ashtu si dhe zbatimi i kuadrit ligjor dhe ndjekjes penale e transaksioneve të dyshimta. Nga analiza e kryer, pavarësisht arritjeve në aspektin legjislativ dhe institucional, referuar edhe raportit vjetor të SPAK për vitin 2023 dhe raporteve të Komisionit Europian, pastrimi i parave vijon të mbetet një ndër krimet më të përhapura te grupet kriminale, ashtu siç vihet re se ka një rritje të përdorimit të shoqërive tregtare veçanërisht në pasuritë e paluajtshme, të cilat shërbejnë për të marrë dhe transferuar paratë e fituara nëpërmjet veprimtarive kriminale.
Element tjetër që është evidentuar nga analiza dhe shqyrtimi i raporteve të institucioneve ligjzbatuese dhe ato ndërkombëtare është fakti se hetimet financiare nuk shoqërojnë sistematikisht procedimet penale që nga fillimi ashtu si dhe efektiviteti i tyre mbetet i kufizuar.
Ekspertët kanë evidentuar se institucionet ligjzbatuese kanë ende nevojë të forcojnë kapacitetet e tyre për të kryer hetime financiare komplekse paralelisht me hetimet penale, veçanërisht për të përmirësuar teknikat e hetimit financiar të policisë dhe prokurorëve. Progres është bërë në masën e procedurave të konfiskimit pa dënim sipas ligjit nr.10192/2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” (ligji anti-mafia), megjithatë, numri i procedurave penale që përfshijnë konfiskimin e pasurisë mbetet i ulët.
Për sa i përket sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve për krimet që lidhen me korrupsionin vihet re një përmirësim ku për vitin 2023 arritën në vlerën 6 milionë euro të sekuestruara dhe rreth 280 mijë euro të konfiskuara. Pavarësisht kësaj, përdorimi sistematik i masave të veçanta hetimore është shumë i ulët në krahasim me nevojat operative dhe kjo bën që diferenca e ndërmjet vlerave të sekuestruara dhe atyre me të konfiskuara të jetë e lartë.
Sipas ekspertëve në luftën kundër pastrimit të parave një rol të rëndësishëm luan edhe hetimi proaktiv dhe masat për sekuestrimin dhe konfiskimin në rastet e veprave penale në fushën e Tatimeve dhe Doganave, për këtë arsye ekspertët theksuan si domosdoshmëri rritjen e përdorimit të të dhënave ekonomike për të evidentuar rastet e kompanive dhe individëve me risk më të lartë për aktivitetet e pastrimit të parave.
Element tjetër i sjellë në analizën e ekspertëve është fakti që pavarësisht masave për krijimin e Regjistrit të Pronarëve Përfitues, evidentohet një sërë mangësish si mungesa e aksesit dhe transparencës së të gjithë aksionerëve të kompanive të cilët zotërojnë më pak se 25% të aksioneve, duke përfshirë edhe mungesën e regjistrimit të kompanive të huaja që operojnë në tregun shqiptar, mungesa e verifikimit të tyre nga institucionet shtetërore, vendosja e sanksioneve, etj. Ekspertët kanë evidentuar se sistemet statistikore kanë disa nga të dhënat e nevojshme për matjen e FPF-ve, por këto të dhëna janë të shpërndara në një sërë autoritetesh dhe fushash të cilat krijojnë vështirësi në matjen e tyre në një tregues të vetëm.
PROPOZIMET
Pas analizës ekspertët kanë sugjeruar marrjen e disa masave për:
-Identifikimi i rasteve të pastrimit të parave nëpërmjet deklarimeve të tatim-taksave dhe zbatimit të sekuestrimeve dhe konfiskimeve për rastet e kryerjes së veprave penale në lidhje me to. Gjithashtu evidentohet se duhet të përfshihen në kategorinë e veprave penale për të cilat zbatohet ligji nr.10192/2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” i ndryshuar edhe veprat penale në lidhje me taksat dhe tatimet (nenet 180-182/a të Kodit Penal).
-Efektivitetin e kontrollit të të dhënave doganore, veçanërisht për kompanitë që bëjnë import – eksport, transportit të parave në dorë “cash”, unifikimin e gjobave me vendet e tjera si dhe adresimi në Kodin penal i rasteve të mosdeklarimit të parasë “cash” për të përcaktuar dallimin e mosdeklarimit të shoqëruar me dokumente bankare ose forma të tjera vërtetësie, nga rasti kur paratë janë të fshehura për qëllim mos deklarimi.
– Adresimin e numrit të ulët apo mungesës së hetimeve financiare paralele me hetimin e veprave penale që gjenerojnë produkte/të ardhura kriminale.
-Funksionimi sa më praktik dhe gjithëpërfshirës i Regjistrit të Pronarëve Përfitues. Për këtë është e nevojshme të përditësohet dhe të përmirësohet regjistri i pronarëve përfitues dhe në të njëjtën kohë të ulet niveli prej 25% kur pronari bëhet publik
– Zhvillimi i mëtejshëm i kapaciteteve profesionale të prokurorëve dhe të oficerëve të policisë gjyqësore me fokus çështjet e pastrimit të parave dhe aseteve të sekuestruara
DISKUTIMET
Gjatë diskutimeve përfaqësuesit e institucioneve ligjzbatuese sollën disa sugjerime konkrete lidhur me përmirësimin e punës në vijim për një ndërlidhje të informacioneve.Zv.ministri i Brendshëm, z.Besfort Lamallari, u ndal tek puna për draftimin e projekligjit “Për zyrën e rekuperimit të aseteve”, i cili pritet që së shpejti të kalojë në Parlament dhe që do të shërbejë nxitjes së luftës kundër pastrimit të parave. Z.Klajd Karameta, zv.ministër i Drejtësië solli theksoi nevojën që përveç ndryshimeve të Kodit Penal, t’i kushtohet më shumë rëndësi interpretimit të veprave penale.
Z.Deniz Derralla, Drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë shtroi nevojën e gjetjes së mekanzimave për të minimizuar përdorimin dhe transaksionet e parasë “cash”, si dhe rëndësinë për të treguar kujdes për ndërhyrjet që mund të kërkohen për monedhat kripto. Ai sqaroi më tej se nuk duhet të ngatërrohet forma e këmbimit të monedhës me pastrimin e parave, sepse paraja “cash” mbetet në të njëjta volume, prandaj është e nevojshme që duhet qartësuar kur të kërkohen përmirësime të kuadrit rregullator për kriptomonedhat.
Znj. Ardita Seknaj, përfaqësuese e Komitetit Kombëtar i Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë theksoi nevojën e thellimit të analizës për të parë nëse mekanizmat në fuqi bëjnë të mundur kontrollin më të mirë të investimeve të huaja, në mënyrë që nëse ekzistojnë të fuqizohen dhe të mos hartohen ligje të reja, të cilat mund të krijojnë mbivendosje në legjislacion. Përmbledhjen ekzekutive të analizës së ekspertëve e gjeni në faqen ëeb të komisionit të posaçëm masl.al
(Balkanweb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb