Projekt/buxheti 2025, Celibashi: 9.4 miliardë lekë për zgjedhjet, votimi elektronik të bëhet në qarkun e Tiranës

2 hours ago 22

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në seancën dëgjimore në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ka kërkuar fonde nga buxheti për vitin 2025. Celibashi tha se nevojat për buxhet dhe kërkesat për buxhet përfshijnë si aspektin e funksionimit të institucionit të KQZ për 2025, ashtu edhe për zgjedhjet e vitit 2025.

9.4 miliardë lekë në total është shifra që përfshin programin buxhetor të zgjedhjeve për vitin 2025, por sipas Celibashit kjo do të rishihet.

“Jemi tërhequr nga kjo kërkesë për këtë sasi buxheti. Kjo shifër përfshinte zhvillimin e zgjedhjeve dhe votimin elektronik në 5 qarqe, por për kohën e mbetur kjo është e pamundur. Në kërkesën e re, krahas elementëve të tjerë që lidhen me përgatitjen e zgjedhjeve, kemi parashikuar që të zhvillohet votimi elektronik vetëm në qarkun e Tiranës.”

Sipas Celibashit, kostoja e përllogaritur për votimin dhe numërimin elektronik në qarkun e  Tiranës është 1.7 miliardë lekë. Celibashi tha se ka pasur komunikim formal me partitë politike për këtë çështje.

“Nuk e kemi dakordësinë e të gjitha palëve. Ka një dakordësi nga njëra anë e politikës për zhvillimin e votimit elektronik në Tiranë dhe mungesë dakordësie nga pala tjetër. Gjithsesi, si institucion, kjo nuk duhet të na ndalojë. Jemi duke punuar dhe shumë shpejt do të kemi një komunikim tjetër, joformal”, tha Celibashi.

Lidhur me shtesat buxhetore për funksionimin e KQZ-së, Celibashi theksoi se shifra prej 9.4 miliardë lekësh është ulur, pasi janë hequr vlerat e votimit elektronik.

Shuma totale për buxhetin e institucionit të KQZ-së për vitin 2025 do të jetë 342.1 milionë lekë. Sa i përket buxhetit të institucionit, shtesa që është kërkuar, tha Celibashi, është 56 milionë lekë për mallra dhe shërbime, përfshirë mirëmbajtjen teknologjike.

Gjithashtu, ai përmendi një shtesë prej 137 milionë lekësh në zërin e investimeve. “Shtesa konsiston në përmirësimin e infrastrukturës për administrimin e pamjeve filmike të realizuara gjatë ditës së votimit. Aktualisht, në rastet kur një subjekt zgjedhor kërkon pamjet filmike, hasim vështirësi në identifikimin e qendrës së votimit,” tha Celibashi.

Celibashi nënvizoi rëndësinë e ndërtimit të një sistemi të ri për gjurmimin e bazës materiale dhe logjistikës së KQZ-së për ditën e votimit. “Një pjesë e investimeve do të shkojë për këtë qëllim, për të rritur efikasitetin dhe transparencën,” tha Celibashi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article