Rivitalizohet qendra e fshatit turistik Gjinar në Elbasan

2 months ago 10

Nga Fatmir Popja

Rivitalizimi i Qendrës së Gjinarit Turistik ka nisur tashmë me ritme intensive, duke synuar transformimin e kësaj zone në një destinacion të rëndësishëm për turistët dhe banorët lokalë.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, ka kryer gjatë kësaj fundjave një inspektim të afërt të punimeve që po kryhen aty dhe ka vlerësuar progresin e arritur deri tani.

Projektet përfshijnë një ndryshim të rëndësishëm të zonës së Gjinarit, duke përfshirë ndërtimin e një infrastrukture të re, përfshirë kanalizimet, trotuarët, ndriçimin, një park shplodhës dhe një kënd lojrash. Fusha e Kuqe, një zonë sportive e rëndësishme, ka marrë një pamje të re dhe tërheqëse, ndërsa një segment rrugor i ndërtuar me gurin karakteristik të Gjinarit do të lidhë të gjitha pjesët e zonës së qendrës së fshatit deri te Lapidari.

Kryetari i bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja ka theksuar se, përveç këtyre investimeve, projekti i transformimeve përfshin edhe ndërtimin e një muzeumi dhe të një qendre informacioni për të gjithë zonën e Shpatit, ku do të shpalosen traditat dhe kultura e kësaj zone.

Kryebashkiaku Llatja e ka cilësuar këtë si një premtim të mbajtur për përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e turizmit në zonën e Gjinarit. “Problemi i vonesës për nisjen e punimeve ishte mbyllja e shpronësimeve, e cila ndikoi në afatet e zbatimit të projektit.

Megjithatë, tani jemi në kohë dhe këto ditë do të hidhet asfalti. Ky është një projekt kompleks dhe ambicioz që do të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të Gjinarit”, tha Kryetari Llatja.

Rivitalizimi i Gjinarit pritet të rrisë tërheqjen e vizitorëve dhe të ofrojë mundësi të reja për zhvillimin e biznesit lokal, duke pasuruar ofertën turistike të Elbasanit dhe duke kontribuar në mirëqenien e komunitetit lokal.

Gjinari i Elbasanit është një nga destinacionet më të njohura të turizmit malor në Qarkun e Elbasanit ku gjatë 30 viteve të fundit i është kushtuar rëndësi e madhe nga vendasit zhvillimit të industrisë së turizmit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article