Deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur në Shkodër, ku nga persona të paidentifikuar është qëlluar me armë zjarri ndaj forcave të policisë, të cilat ishin në një operacion për kontrollin e territorit lidhur me kultivimin e kanabisit.
Salianji shprehet se plumbat ndaj policisë janë të papranueshme dhe kushdo ngre dorën ndaj policisë, godet autoritetin e shtetit dhe duhet të marrë ndëshkimin më të ashpër!
“Ndërkohë duhet thënë se ngarje të tilla të harruara prej vitesh vijnë për shkak të drejtuesve partiakë të policisë së shtetit dhe përdorimit të segmenteve të policisë që ndihmojnë dhe lehtësojnë krimin, e kriminelët që mbledhin e pjellin vota për pushtetin!
Këta drejtues ja kanë ulur autoritetin policisë dhe i kanë vendosur nën darë punonjësit e policisë, nën darën e krimit dhe drejtuesve të policisë të emëruar nga krimi!”, shkruan Salianji.
Sipas tij, degradimi i rendit dhe sigurisë ka vendosur në alarm gjithë shoqërinë, duke shtuar se “duhet ndryshim!”.
“Ministri prej kohësh është shpallur në kërkim e nuk gjendet me sa duket i trembur nga gjendja e krimit dhe i pafuqishëm të ndërhyjë derisa të marrë dakortësinë e bandave, po mbron veten në bunkerët e ministrisë!”, shkruan Salianji.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb