Shkëlqimi dhe rritja e Gentrit Halilit te Ballkani, e ardhmja e mbrojtësit duket e ndritur: Dua titullin dhe Kupën pastaj transferimin në Evropë

8 months ago 19

Në verën e vitit 2023 ai mbeti lojtar i lirë, pasi skuadra e tij Ferizaj ra nga elita e futbollit kosovar. Por Gentrit Halili u vërshua nga ofertat nga Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Zvicra.

Megjithatë qendërmbrojtësi i talentuar vendosi të mbetet në Kosovë, ku kampioni në fuqi i vendit Ballkani e bindi të nënshkruante kontratë.

Zgjedhja për të luajtur për Ballkanin ka qenë e duhura, pasi Halili është duke shkëlqyer me fanellën e kampionit në fuqi, duke u bë një titullar i padiskutueshëm.

22-vjeçari ka shkëlqyer këtë edicion duke zhvilluar 24 ndeshje, teksa ka shënuar edhe dy gola e ka asistuar në një tjetër.

Halili ishte fantastik në ndeshjen e parë të stinorit pranveror në Albi Mall Superligë, ku ishte i pakalueshëm në mbrojtje dhe shënoi edhe gol në fitoren e Ballkanit 0-3 në udhëtim te Liria.

Në një intervistë për Telegrafin, Halili thotë se është shumë i kënaqur me formën e tij, por edhe me ecurinë e Ballkanit.

“Kur e mendoj ofertat që kam pasur, mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur për t’iu bashkuar Ballkanit, pasi jam rritur edhe më shumë”.

“Këto muaj që jam në Suharekë kam pasur formë shumë të mirë dhe jam i lumtur me ndeshjet që kam bërë, edhe pse gjithmonë kërkoj më shumë nga vetja dhe vazhdoj të punoj fuqishëm për t’u përmirësuar edhe më shumë”, thotë Halili për Telegrafin.

Ballkani vazhdon të jetë lider në Albi Mall Superligë me gjashtë pikë para Llapit dhe nëntë më shumë se Drita e vendit të tretë, derisa është edhe në çerekfinale të Kupës së Kosovës ku do të përballet me Malishevën.

Halili thotë se qëllimi është të mbrojnë titullin e kampionit dhe sigurisht të triumfojnë edhe në Kupën e Kosovës.

“Jemi në rrugë të mirë për të shkuar drejt titullit të tretë, por është ende herët dhe na pret një punë e vështirë. Përkundër se janë gjashtë dhe nëntë pikë mbrapa Llapi e Drita, duhet të bëjmë kujdes dhe në çdo ndeshje të futemi për fitore. Kemi një grup shumë të mirë të lojtarëve dhe besoj se në fund do t’ia dalim ta mbrojmë titullin e kampionit dhe duam ta fitojmë Kupën e Kosovës”, vazhdon tutje Halili.

Qendërmbrojtësi shtatlartë falë formës fantastike kishte oferta edhe gjatë afatit kalimtar të janarit për tu larguar nga Ballkani. Telegrafi mëson se skuadra nga Ukraina, Polonia, Kazakistani, Austria e Zvicra u interesuan për shërbimet e tij, por ai vendosi të mbetet në Suharekë.

“Ka pasur interesime e oferta nga vende të ndryshme me të cilat është marrë menaxheri im, por nuk e kam menduar largimin. Dua të vazhdoj me këtë formë të mirë dhe të fitoj trofe te Ballkani pastaj është normale se do të dua të luaj një ditë në një kampionat më të fortë evropian”, tha Halili.

Përfaqësuesja e Kosovës mbetet ëndrra e madhe për Halilin, i cili në rast se vazhdon me një formë të tillë pritet edhe të ftohet duke parë shkëlqimin e tij si në kampionat ashtu edhe në ndeshjet evropiane.

“Sigurisht që për secilin futbollist është ëndërr të luash për vendin tënd. Ëndrra ime është të luaj për Kosovën, por kjo nuk varet nga unë. Krejt çka varet nga unë është të punoj shumë dhe të kem paraqitje të mira”.

“Nëse vazhdoj me këtë ritëm besoj se puna e sakrifica e madhe që e bëj do të shpaguhet me një ftesë nga Kombëtarja, por edhe me një transferim në Evropë”, tha Halili. /Telegrafi/

Read Entire Article