Emisioni Vetting në News24 trajtoi sot një prej çështjeve më sensitive, atë që ka të bëjë me sigurinë ushqimore, në veçanti me mishin që tregtohet. Vetting trajton një nga rastet që ka të bëjë me bagëtitë që importohen, ndërsa janë falsifikuar çertifikatat në rastet e gjedhëve të sëmurë.
Më 10 maj 2024, pas disa muajsh hetimesh, policia greke shkatërroi tre grupe kriminale, mes të cilëve edhe falsifikuesit e çertifikatave të bagëtive të sëmura.
6 persona u ndaluan nga prokuroria greke pasi kishin lidhje me një thertore private në Bashkinë Sintiki, në Seres, dhe me mjekët veterinerë publikë. Në pranga përfunduan 4 veterinerë dhe dy anëtarë të bordit të thertores në veri-lindje të Greqisë, të cilët akuzoheshin se kishin krijuar çertifikata lindjesh dhe therjesh false për gjedhë dhe bagëti të imëta.
Veterinerët e arrestuar ishin pjesë e një skeme korruptive që kishin krijuar bashkë me blegtorët grekë, që këta të fundit të siguronin subvencionet nga shteti i tyre.
Por saga nuk mbaron këtu. Ligjërisht, si anëtare e Bashkimit Europian, Greqia i asgjëson kafshët me sëmundje infektive. Por nga mediat greke nuk u vu re asnjë lajm i tillë për rastet e zbuluara, duke hedhur dyshimin se këto kafshë të infektuara , nëpërmjet certifikatave falso të bagëtive, të lëshuara nga veterinerët e arrestuar, mund të jenë eksportuar normalisht nga doganat greke jashtë Greqisë, përfshi këtu edhe Shqipërinë.
Dyshimet se kafshët janë futur në Shqipëri?
Një ditë pas arrestimeve në Greqi, Prokuroria e Korçës do të niste hetimet për 78 krerë bagëtish të llojit gjedhë, që rezultonin të pamatrikulluara, pra të pashënuara më parë si pjesë e blegtorëve. Sipas veterinerit të shërbimit publik, Baki Myrtollari, këto kafshë janë importuar nga Greqia.
“Është një gjë e veçantë dhe e rrallë sepse këtu kontrabanda bëhet nën hijen e njerëzve me influencë të madhe. Këtë po e them për arsye se rasti më tipik, më datën 11 maj 2024, unë kisha informacion që do bëhej një kontrandë e madhe me lopë nga Greqia dhe me insistimin tim total dhe të fuqishëm edhe në instancat e policisë së shtetit dy ditë rresht, që këmbëngula që këto kafshë të kapeshin, pasi policia greke kishte njoftuar edhe policinë shqiptare. Policia shqiptare shprehej se nuk kishte informacion, këtu unë kam inistuar”, shprehet veterineri Baki Myrtollari.
Fillimisht këto kafshë importi janë identifikuar nga shërbimi i veterinarisë publike në Korçë, i cili ka marrë masa duke gjobitur subjektin që i importonte dhe më pas çeshtja i është referuar Prokurorisë së Korçës.
Në dallim nga Greqia, Shqipëria nuk e asgjëson mishin e infektuar, por e përdor për konsum nën kushte specifike sanitare, sipas ligjeve në fuqi, duke ngritur dyshime të forta se Shqipëria është një vend i favorshëm për të shitur mishin e infektuar me brucelozë.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb