Silvinjo: Nuk kënaqemi me 1 pikë

11 months ago 21
19:42 11/11/2023

Trajneri parashikon një ndeshje shumë të vështirë: Moldavia në lojë për t’u kualifikuar

Trajneri Silvinjo nuk ka në plan që të bëjë ndryshyime te Shqipëria në dy finalet e fundit të kualifikueseve të Euro 2024. Tekniku kërkon suksesin e radhës ndaj Moldavisë, por e bën të qartë se për kuqezinjtë nuk do të jetë e lehtë.

Braziliani shpjegoi se kishte preferuar teknikën e Arbnor Muçollit në krah për këto përballje në vend të Marvin Çunit që luan më në qendër. Sipas Silvinjos, Moldavia që nuk ka asnjë humbje në shtëpi, lejon pak hapësira dhe kuqezinjtë duhet të qarkullojnë topin.

“Jemi në një situatë në grup, që janë katër skuadra në lojë për t’u kualifikuar. Nuk mund të them që kam frikë, por sigurisht që jam i prokupuar për këto dy ndeshje sepse janë dy finale shumë të rëndësishme dhe ju e dini që futbolli është i vështirë. Do t’i përgatisim sa më mirë këto dy ndeshje, por ne jemi të fokusuar vetëm te ndeshja me Moldavinë. Lojtarët janë të karikuar dhe për momentin kemi vetëm një mungesë i cili është Mihaj.”

Silvinjo e bën të qartë se kuqezinjtë futen në fushë për të fituar.

“Moldavia është ende në garë dhe ne na pret një ndeshje shumë e vështirë, por mendoj që ne nuk duhet të ndryshojmë. Po të bëjmë llogaritë matematikisht na duhet vetëm një pikë, por nuk mund të shkojmë në një ndeshje futbolli dhe të hyjmë në fushë me idenë që duhet të marrim 1 pikë. Duhet të marrim maksimumin në një ndeshje shumë të vështirë dhe duhet të luajmë si gjithmonë; do të vendosim zemrën dhe shpirtin në fushë.”

Sa i përket mungesës së Armando Brojës, Silvinjo tha se duhet respektuar shëndeti i futbollistit.

Braziliani për të ardhmen nuk po mendon, ndërsa ndihet i kënaqur te kuqezinjtë.

Takimet ndaj Moldavisë më 17 Nëntor dhe Ishujve Faroe tri ditë më pas do të transmetohen në televizionin Klan.

Klan News


Të ngjashme

Read Entire Article