Qëndrimi i qeverisë greke për pengimin e integrimit të Shqipërisë ka gjetur kundërshtimin e Gjermanisë. ku kancelari gjerman Olaf Scholz u shpreh qartazi në favor të kandidaturës së Shqipërisë në BE.
Mes Greqisë dhe Gjermanisë ka një fërkim të qartë. Deklaratës së Scholz se Shqipëria duhet të vlerësohet për reformat dhe se në të kundërt dëmtohet procesi i anëtarësimit, i është përgjigjur zëdhënësi i qeverisë greke, i cili reagoi duke thënë se nuk anashkalohet respektimi i rregullave të shtetit ligjor.
“Çështja e Fredi Belerit nuk është një çështje dypalëshe. Është çështje e shtetit ligjor. Kështu e trajtojmë dhe kështu do të vazhdojmë ta trajtojmë”. Po jo të gjithë në Greqi janë në një mendje. Partia më e madhe e opozitës Syriza deklaroi sot mbështetjen për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor.
Në një deklaratë të kësaj partie thuhet se për fat të keq, në vend të një strategjie të strukturuar në Ballkan, Greqia promovon politikën e Mitsotakis, e cila i jep përparësi interesave mikropolitike dhe balancave të brendshme partiake dhe jo interesave dhe rolit të Greqisë në rajon.
Syriza kritikon kryeministrin grek se ndërsa kërkon integrimin e Ballkanit,nga ana tjetër luftoi kundër marrëveshjes së Prespës dhe nuk po ratifikon tri marrëveshjet teknike.
Top Channel