Protesta kombëtare e opozitës do të mbahet më 12 korrik, ora 20:00. Protesta do të zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa podiumi do të vendoset para Kryeministrisë.
Gazetari Osman Stafa raporton për Balkanweb se ditën e premte do të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së, vendim i marrë nga Kryesia e kësaj partie, e cila po zhvillon mbledhjen e saj.
Kjo është protesta e parë kombëtare e thirrur nga PD në muajt e fundit dhe e para që pas marrjes së vulës dhe logos nga grupimi i Rithemelimit, pas vendimit të Gjykatës së Apelit.
Opozita ka zhvilluar disa protesta para Bashkisë së Tiranës, ndërsa prej 6 muajsh protestohet çdo pasdite në atë që njihet si “Rruga e Shpresës” dhe ku protestuesve iu drejton mesazhe nga ballkoni i banesës ku ndodhet në arrest shtëpie, Sali Berisha. Ky i fundit ka bërë thirrje për Qeveri teknike, duke u shprehur se Edi Rama ka humbur legjitimitetin dhe qëndron në pushtet për shkak të dobësisë së opozitës.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb