Efektivët e Forcave të Armatosura në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse të qarkut Berat dhe forcat policore, kanë përfunduar me sukses operacionin për shuarjen e zjarrit në afërsi të fshatit Skrevan në Urën Vajgurore, bashkia Dimal.
Zjarri përfshiu një sipërfaqe rreth 20 hektarë shkurre e bimësi të mesme. Në operacion u përfshinë 20 efektivë të Forcave të Armatosura, 37 zjarrfikës, 20 efektivë policie si dhe shtatë mjete zjarrfikëse.
Paraprakisht dyshohet se shkak për rënien e zjarrit është bërë këputja e një linje të tensionit të lartë, por, pas rreth 8 orëve, situata u normalizua.
Angazhimi i strukturave të Forcave të Armatosura do të vijojë deri në përmirësimin e situatës së krijuar nga zjarret në të gjithë vendin.
Forcat e Armatosura, përveç sigurimit dhe mbajtjes së gatishmërisë së kapaciteteve të nevojshme operacionale për ruajtjen dhe mbrojtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe tërësisë territoriale të vendit në bashkëveprim me NATO dhe përmbushjen e detyrave në kuadër të Aleancës, kanë objektiv të rëndësishëm edhe mbështetjen e popullsisë në përballimin e fatkeqësive natyrore siç është edhe izolimi dhe shuarja e zjarreve.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb