Zgjerimi është në krye të të gjitha përparësive të BE-së: Ursula von der Leyen e bëri edhe një herë të qartë këtë në vigjiljen e Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, në fokusin e të cilit pritet të jetë afrimi i ekonomive të Ballkanit Perëndimor me atë të bllokut.
Duam që partnerët, fqinjët tanë, të bëhen pjesë e jona që ta plotësojmë Bashkimin Europian, nënvizoi presidentja e Komisionit Europian. Ndërkohë, në një intervistë për DW, vlerësoi progresin e Shqipërisë drejt afrimit me BE.
“Objektivi ynë i përbashkët është të çelim negociatat për grup-kapitujt e pjesëve themelore sa më shpejt që të jetë e mundur, deri në fund të vitit. Rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE po formësohet. Ajo po ecën me sukses për t’u bërë pjesë e BE, ka arritur tashmë vërtet shumë dhe procesi i analizimit të legjislacionit, “screening”, po ecën pa probleme”, theksoi Ursula von der Leyen.
Këtë plan Presidentja e BE, Von der Leyen, e cilësoi si një “fazë të re veprimesh që në rast se vihet në zbatim ashtu siç duhet, pritet të dyfishojë madhësinë e ekonomisë së Shqipërisë brenda këtij 10-vjeçari dhe të inkurajojë konvergjencën me ekonominë e BE. Në disa fusha të caktuara Shqipëria do të ketë qasje në tregun e vetëm të BE, por për këtë janë të nevojshme reformat dhe reformat do të shoqërohen me investime, që të hapet dera për tregun tonë, për tregun e përbashkët rajonal të vendeve të BP”, theksoi ajo.
Në përgjigje të pyetjes së DW lidhur me kriteret e përfitimit të financimeve të Planit të rritjes nga secili vend i Ballkanit Perëndimor, Presidentja von der Leyen tha se “plani i rritjes kërkon të sjellë stimuj për të përshpejtuar dhe përdorur këtë moment të caktuar të kësaj situate për të përfituar të gjithë. Janë të domosdoshme reformat, që duhen bërë sa më parë në mënyrë që përfitimet që ato sjellin të vijnë sa më herët.
Ideja është të japim stimuj për këto reforma. Dhe bashkë me reformat vijnë dhe investimet, ndërsa shtoi se do të ketë korridore të reja tregtie, mundësi për biznes më shumë nga njëra anë dhe nga ana tjetër kërkesat për reforma në vende të caktuara të rajonit.
Top Channel