Zgjedhjet në Himarë/ Ardit Bido: Rezultati jo si pasojë e presioneve, votë kundër vorioepirotizmit. PD po asgjëson veten në atë Bashki. Ja çfarë duhet të zgjidhë Tavo

3 months ago 9

Studiuesi Ardit Bido në rubrikën “Opinion” në News24 duke folur për zgjedhjet në Himarë, ku vangjel Tavo, kandidat i PS-së fitoi me 1477 vota më shumë se kandidati opozitës, Petro Gjikuria, tha se ky rezultat nuk është si pasojë e presionit.

“Po të ishte për çështjes presioni, Tavo do të kishte votuar në Himarë fshat, ose në Kudhës. Gjikuria ka rritur votat e veta në Dhërmi, Himarë fshat dhe Kudhës, por ka një ulje drastike në të gjithë fshatrat e tjerë”, tha Bido.

Ai u shpreh Vangjel Tavo nuk mund të merrte vota grekësh në Himarë, sikundër pretendonte një pjesë e elitës së Partisë Socialiste.

“Vangjel Tavo ka dalë nën 30% të votave dhe Gjikuria ka dalë mbi 70% të votave në qendrat e votimit që kanë një shumicë greke të deklaruar. Por Tavo ka fituar votat e shqiptarëve dhe për këtë duhet të jemi krenarë. Gjikuria ka marrë më pak se 10 % të votave në të gjithë fshatrat dhe kjo ishte votë proteste kundër vorioepirotizmit”, tha Bido.

Ai tha se zona që kanë votuar tradicionalisht për të djathtën, për Partinë Demokratike, si Borshi, Lukova dhe Himara kurveleshare, votuan për herë të parë dje pro kandidatit të Partisë Socialiste. “Ky është një mesazh që duhet ta lexojë mirë Partia Demokratike, pasi është një votë kundër vorioepirotizmit”, tha Bido.
Duke analizuar në vijim rezultatin, Bido tha se në Vuno dhe Qeparo, kandidati socialist ka marrë përkatësisht 85 % dhe 70 % të votave, ndërsa Partia Demokratike ose është shkatërruar ose ka marrë një minimum.

Lidhur me pretendimet se nuk u lejuan 6 mijë votues të votonin për shkak se kishin karta identiteti të skaduara, Bido tha se pretendime të tilla janë çmenduri, pasi nuk kemi 6 mijë njerëz që shkuan të votonin dhe nuk u lejuan, por janë 6 mijë qytetarë, që kanë dokumente greke, që nuk duan të rinovojnë dokumentet shqiptare dhe që nuk votuan as vjet, as këtë vit dhe nuk do të votojnë as zgjedhjet e ardhshme.

“Kemi një rritje të votës etnike greke që ka rritur Gjikurinë më shumë se sa për Belerin, por kemi një dërmim të votave për PD dhe PBDNJ në zonat që kanë shumicë dërmuese. Gjikuria megjithëse ka marrë votat etnike në zonat me shumicë greke dhe ato që mund të jenë vota proteste ndaj Qeverisë, nuk arriti të fitonte, por mbeti 1477 vota pas Tavos, i cili ka marrë votat e protestës kundër vorioepirotizmit”, tha Bido.

Ai tha se Gjikuria ka 30 vjet që punon për shoqatën panetirotizmi të Nicholas Gage dhe ka bërë një fushatë vorioepirotiste. “Spiromilo dogji Borshin, ai bënte fushatë me foton e tij. Dukshëm kemi një votë proteste kundër vorioepirotizmit. Ndërsa në Nivicë kemi një tjetër votë proteste, ku qytetarët nuk dolën në votime dhe është një mesazh i qartë, qoftë për Partinë Socialiste, qoftë për Partinë Demokratike. Nëse do të dilnin ata dhe do të jepnin votën e protestës, do të fitonte në Himarë jo Beleri dhe Gjikuria, por edhe ndonjë tjetër me keq se këta”, tha Bido.

Ai u shpreh se Vangjel Tavo nuk ka marrë asnjë votë greke në atë Bashki, në anën tjetër Gjikuria është një vorioepirist, ndaj Kryebashkiaku i Himarës duhet të rrijë larg atyre propozimeve dhe ofertave që bën në raport me kandidatin e opozitës.

Bido tha se PD po zhduk veten në Bashkinë e Himarës për shkak të zgjidhjeve që ka bërë. Ai tha se lajmi i mirë pas këtyre zgjedhjeve është se do të kemi një normalitet në atë Bashki. “Kryebashkiaku i Himarës duhet të zgjidhë problemin e niviciotëve, që iu është vendosur një tra atje. Nëse në Krorëz nuk u lejohet shënvasiotëve të kenë akses në det, ai duhet të zgjidhë çështjen. Kudhësi ka të drejtën e rrugës, dhe z. Tavo duhet ta zgjidhë këtë çështjes. Duhet të zgjidhë problemin e ujit, edhe pse është një problem që kalon kompetencat e Bashkisë.

Në Borsh duhet të zgjidhë problemin e asaj shëtitores, duhet të zgjidhë problemin e varrezave në Fterë, pra janë një seri problemesh që nëse do t’i zgjidhë do të jetë një Kryebashkiak fantastik”, tha Tavo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article