Në emisionin “Log.” në News24, gazetari Endri Xhafo e pyeti Sali Berishën, kreun e PD-së, nëse ka dhënë ai urdhër në 21 janar 2011 për të qëlluar me fishekë ushtarakë, ndërsa ish-Kryeministri deklaroi se kurrë nuk ka dhënë një urdhër.
“Jam i bindur se nuk ka dhënë kurrë njeri urdhër, të paktën duke u bazuar edhe në dëshminë e komandantit të grupit të zjarrit, që është një nga socialistët më të verbër sot. Garda kishte një ligj në fuqi, të miratuar nga Qeveria socialiste që përcaktoheshin kushtet se kur hapej zjarr”, tha Berisha.
Ai tha se pati 4 viktima për të cilat kërkova një hetim të plotë, sikundër kërkova prokurorë ndërkombëtarë për hetimin, por që u refuzuan nga Edi Rama dhe Ina Rama.
“Kam insistuar për hetim dhe prokurorë ndërkombëtarë dhe për këtë ka dokumente. Le të hetohet 100 herë dhe 1 mijë herë, organizator kryesor del Edi Rama në çdo lloj varianti”, tha Berisha.
Lidhur me deklaratat e bëra në atë kohë se vrasjet ishin bërë nga “çadrat pistoletë”, Berisha u shpreh se “në mënyrë absolute deklarata ime për vrasjet e kryera nga afër kanë ardhur pas deklaratës së mjekut të spitalit ushtarak dhe ai e ka pohuar. E ka pohuar edhe para dy muajsh, ka deklaruar ashtu e vlerësova dhe ka pohuar se nuk ma ka kërkuar asnjënjeri ta bëja këtë deklaratë”.
“Përsa i takon çadrave pistoletë, kam deklaruar gjiçka dija, për të ndihmuar hetimin. Dikush më solli një telefon ose regjistrator, dhe aty mu tha se në shtabin e krimit që ndodhej karshi godinës së Kryeministrisë, u diskutuan të gjitha këto: nga çadrat pistoletë të sjella nga Bullgaria te hunjtë. Të gjitha këto ia kam dorëzuar prokurorisë”, tha Berisha.
Ai u shpreh se këtë aparat ia ka dorëzuar organeve ligjzbatuese, madje edhe ekspertë të huaj, janë në dijeni.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb