5 vite nga tërmeti i 26 nëntorit, Marku: Rindërtimi një nga skandalet më të mëdha të korrupsionit

2 months ago 10

“Procesi i rindërtimit rezulton një ndër skandalet më të mëdha të korrupsionit”, shprehet Alfrida Marku, e cila denoncoi rastin e një pallati në bashkinë Lezhë, ku 53 familje ende nuk kanë zgjidhje për rindërtimin e banesave

Marku tha se 5 vite nga tërmeti i 26 nëntorit, procesi i rindërtimit në Bashkinë Lezhë ende vijon të zvarritet.

Kryetarja e Demokratëve Euroatlantikë dega Lezhë, Alfrida Marku, ka denoncuar rastin e një pallati në këtë qytet i cili edhe pse është rindërtuar, sistemi i kanalizimeve duhet të ribëhet nga fillimi për shkak të cilësisë së dobët të punimeve dhe gabimeve në projektim.

Marku shprehet se 20 miliard lekë janë tenderuar vetëm nga Bashkia Lezhë deri më sot për procesin e rindërtimit, që i bie 9 herë më shumë se buxheti i planifikuar për investime të reja këtë vit në këtë bashki, por mesa duket nuk kanë mjaftuar pasi prioritet nuk janë qytetarët por abuzimet.

Ajo më tej thotë se për 53 familje në Lezhë ende nuk ka zgjidhje për rindërtimin e banesave të tyre dhe pavarësisht gjendjes në të cilën ndodhen, gjatë vitit 2023, Bashkia Lezhë ka pezulluar, pa asnjë shkak, fondin prej 2 miliard lekë të akorduar për rindërtimin.

Postimi i plotë i Alfrida Markut:

Në mos herët vonë, procesi i rindërtimit do të rezultojë në një ndër skandalet më të mëdha të korrupsionit në vendin tonë.

Ky është një pallat në qytetin e Lezhës, i rindërtuar nga themelet, ku banojnë rreth 97 familje, por 24 muaj nga përfundimi i punimeve, i gjithë sistemi i kanalizimeve duhet të ribëhet nga fillimi, për shkak të cilësisë së dobët të punimeve apo gabimeve në projektim.

Mbi 20 miliard lekë janë tenderuar vetëm nga Bashkia Lezhë, deri më sot, për procesin e rindërtimit.

20 miliard lekë dedikuar për rindërtimin janë 7 herë më shumë se vlera e të gjitha investimeve në infrastrukturë në territorin e bashkisë Lezhë përgjatë vitit 2023;

20 miliard lekë janë 9 herë më shumë se buxheti i planifikuar për investime të reja këtë vit, në dispozicion të të gjithë banorëve, në 10 njesitë administrative të Bashkisë Lezhë.

Por mesa duket nuk kanë mjaftuar pasi prioritet nuk janë qytetarët por abuzimet.

Me të drejtë, qytetarët e Lezhës ngrenë pikpyetje për lista fiktive, ndryshim të kategorisë së dëmit të shkaktuar, tendera me fitues të paracaktuar, miliarda lekë të shpenzuara për projektim e jo për rindërtim,cilësi e dobët e punimeve, rregullim i fasadave dhe jo rikonstruksion, duke lejuar rrezikun sërish të jetë prezent.

Për 53 familje në Lezhë ende nuk ka zgjidhje për rindërtimin e banesave të tyre; dhe pavarësisht gjendjes në të cilën ndodhen, gjatë vitit 2023, Bashkia Lezhë ka pezulluar, pa asnjë shkak, fondin prej 2 miliard lekë të akorduar për rindërtimin.

Pamjet që shihni në video, janë provë e pakontestueshme sesi është abuzuar me fondet e rindërtimit, në cdo bashki ku është zhvilluar ky proces.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article