Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është ndalur të flasë për gazetarët pas një aktiviteti sportiv që ka zhvilluar mbrëmjen e sotme në qytetin e Lezhës, ku ka folur për zhvillimet e ditëve të fundit ku ai ka qenë protagonist i skenës politike.
Meta u shpreh se SPAK dëshiron të hyjë në lojë politike, ndërsa theksoi se nuk mbështet ato institucione që merren me politikë në funksion të Edi Ramës.
I pyetur nëse reagimet e tij të ashpra ndaj Prokurorisë së Posaçme janë rezultat i frikës së tij nga drejtësia, ish-Presidenti i Republikës tha se “rrethimi i vogël i Ilir Metës ka mbaruar dhe rrethimi i madh ndaj mafias në pushtet sapo ka nisur”.
“SPAK-u dëshiron të hyjë në lojë politike, të vijë të garojë si sot u ndeshëm ne këtu në Lezhë. Në rast se dëshiron t’i qëndrojë kushtetutën të bëjë punën e tij, por është shumë larg pritshmërive. Ne mbështesim reformën me 140 vota, nuk mbështesim ato institucione që merren me politikë në funksion të Edi Ramës. Turp të kenë të gjithë ndërkombëtarët që nuk reagojnë kur Edi Rama urdhëron SPAK dhe jep dhe akuza për Sali Berishën që nuk ka bërë asnjë shkelje ligji, por po izolohet pse Edi Rama terrenet sportive i ktheu në kantiere betoni. Ilir Meta ka qenë këtu, është këtu dhe do të jetë këtu. Frikë nga e vërtetat kanë ata që kujtojnë se me deklarata të blera McGonigalësh dhe me fëlliqësira që mbajnë cikma me vete do mund të shkatërrojnë pluralizmin politik. Më 27 prill e marrin përgjigjen të gjithë në pallatin e Kongreseve dhe më pas kudo. Rrethimi i vogël i Ilir Metës ka mbaruar, rrethimi i madh ndaj mafias në pushtet sapo ka nisur. Besëlidhja e Lezhës, 2 marsi , janë shtylla e Partisë së Lirisë”, tha Meta.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb