Me urdhër të SPAK, konfiskohen pasuri të Alket Hatijas, i njohur ndryshe si ‘Zoti i Drogës’. Bëhet fjalë për apartamente, garazhe, makina dhe aksione kompanie, që kapin shifra të mëdha monetare. Sipas SPAK, këto pasuri ka dyshime se burojnë nga aktivitete kriminale.
NJOFTIMI I SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar krahas ushtrimit të ndjekjes penale është kujdesur që të ketë në vëmendje të punës së saj edhe identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të cilat dyshohen se rrjedhin nga krimi.
Në zbatim të Aktit Normativ Nr.1, datë 31.01.2020 “Për masat parandaluese në kuadër të luftës kundër terrorizimit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën për konfiskimin e pasurive të subjektit Alket Hatija (dhe personave të lidhur me të) i deklaruar fajtor me vendimin nr. 10, datë 26.03.2010, të ish Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për kryerjen e veprës penale “Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 283/a/2 i Kodit Penal (ky vendim është lënë në fuqi me vendimin nr.966, datë 08.11.2010, të ish Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Tiranë.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.24, datë 31.10.2023, ndërmjet të tjerave ka vendosur konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive si më poshtë:
Pasurinë e paluajtshme e llojit “truall”, me sipërfaqe 495 m2, me adresë Lagjia “Plazh”, Durrës, në pronësi të shtetasit Alket Hatija.
Pasurinë e paluajtshme e llojit “truall”, me sipërfaqe 320 m2, me adresë Lagjia “Plazh”, Durrës, në pronësi të shtetasit Alket Hatija;
Pasurinë e paluajtshme e llojit “garazh”, me sipërfaqe 14.74 m2, me adresë Lagjia Nr.13, Plazh, Durrës, në pronësi të personit të lidhur M. H.
Pasurinë e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe 118 m2, me adresë Lagjia nr.1, Rruga “Taulantia”, Durrës, në pronësi të personit të lidhur F.H.
Pasurinë e paluajtshme e llojit “apartament”, me sipërfaqe totale 65 m2, me adresë Kryemëdhenj, Kavajë, në pronësi të shtetasit F. H.;
Automjetin tip autoveturë i markës BMW, prodhim i vitit 2003;
49% të kuotave të subjektit “Aquila Marble” sh.p.k., që i përkasin personit të lidhur M.H.;
Kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kanë ushtruar ankim subjekti Alket Hatija e personat e lidhur me të dhe Gjykata e Posaçme e Apelit Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.137 datë 05.07.2024 ka vendosur: Lënien në fuqi të vendimit nr.24, datë 31.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb