Gjyshja e Gledion Mukës, i cili mbeti i vrarë në atentatin e ndodhur mesnatën e së shtunës në Memaliaj, tha se nipi i saj punonte si kamarier.
“Pse ma vranë djalin, ai punonte për bukën e gojës. Ne kërkojmë drejtësi, përse e vranë djalin? Ai punonte për bukën e gojës, ishte djal i vetëm, pse ia morën jetën djalit”, thotë gjyshja mes lotëve.
Familjarët e Mukës shprehen se ai punonte në lokal gjithmonë, kishte disa muaj që punonte si kamarier, madje edhe me orar të zgjatur.
Gledion Muka ishte një nga viktimat e atentatit që ndodhi në Memaliaj, ku dyshohet se objektiv ishte Shyqyri Kalemaj, 74 vjeç. Muka, sipas të dhënave, u ndodh rastësisht pranë tavolinës ku ishte ulur Kalemaj me vëllain e tij.
Policia është ende në kërkim të autorëve të ngjarjes së rëndë, ndërsa dyshohet se janë vrasës me pagesë.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb