Në konferencën për mediat, kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, u ka bërë thirrje publike deputetëve të Partisë Demokratike që të distancohen një orë e më parë nga marrëveshja e radhës Berisha-Rama, për mbylljen e listave të kandidatëve.
Basha tha se nuk është koha për të parë situatën vetëm me syzet e interesit personal, pasi detyra e deputetëve është që të përfaqësojnë interesin qytetar dhe jo interesin e dyshes që kërkon të instalojë Katovicën numër 2.
“Dua t’i drejtoj këtë mesazh deputetëve të dalë me votat e Partisë Demokratike. 4 muaj më parë paralajmërova një pjesë prej jush se duke votuar për amnistinë, po votoni për të liruar të korruptuarit e Edi Ramës që vodhën votat e Partisë Demokratike dhe për të mbajtur në ndjekje penale protestuesit e Partisë Demokratike dhe jo vetëm që u ngritën kundër këtij korrupsioni. Një pjesë prej jush e trajtuan këtë thirrje me syzet e nxirra të interesit personal me të cilat matin të sotmen dhe të nesërmen e tyre dhe votuan verbrazi për lirimin e të korruptuarve të Edi Ramës, e hajdutëve të votës së PD dhe për mbajtjen në ndjekje penale të protestuesve të PD. Më pas një pjesë e tyre u justifikuan se nuk e dinin ndonëse paralajmërimi ynë prej kohësh ishte në sytë dhe veshët e publikut dhe skishte si mos të hynte në sytë dhe veshët e përfaqësuesve të publikut.
Sot, këtë të martë dy ditë apo tre ditë para sjelljes për votim të pazarit të fundit të Edi Ramës dhe Sali Berishës për të rimbyllur listat që sot janë të hapura me vendim të Gjykatës Kushtetuese, jua drejtoj këtë thirrje publikisht: e di që jo çdokush në këto 3 vite ka pasur mundësinë edhe për shkak të situatës brenda PD të krijojë atë komunikim dhe kontakt me votuesin që duhet të krijonte. Por kurrë nuk është vonë për të bërë gjënë e duhur. E di që një pjesë prej jush e kanë ankthin e konkurrencës së hapur me lista të hapura dhe se një pjesë jo e vogël janë bombarduar me pseudoargumente se pse kjo nuk është gjëja e duhur për Shqipërinë. Në fakt është e vetmja gjë e duhur për Shqipërinë dhe për shqiptarët, është e vetmja gjë e duhur për qytetarët të cilët sot fatkeqësitë e mëdha që i rrethojnë në jetën e tyre të përditshme ia atribuojnë vrasjes së konkurrencës dhe meritës në çdo fushë duke filluar me fushën politike.
Ndaj ju kërkoj sot në emër të asaj vote që keni marrë 3 vite më parë të rrefuzoni pazarin e Edi Ramës me Sali Berishën për rimbylljen e listave të shqiptarëve. Shqiptarët nuk do t’ua falin nëse shkelni interesin publik, nëse shkelmoni interesin e shqiptarëve për të votuar atë që duan ata dhe jo atë që iu dikton kryetari i partisë. Detyra juaj është që të përfaqësoni interesin qytetarë dhe jo interesin e tyre. Ndaj, ju bëj thirrje publikisht të distancoheni një orë e më parë dhe të bashkojmë forcat për t’iu kundërvënë kësaj përpjekjeje për të rindërtuar Katovicën numër 2 dhe për ta rimbajtur Shqipërinë edhe në 30 vitet e ardhshme në ngërçet, ankthet dhe frikërat e tranzicionit të stërzgjatur shqiptar me pasoja të rënda për Shqipërinë dhe shqiptarët”, u shpreh Basha.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb