BE i hapi derën Ukrainës për bisedimet e anëtarësimit, por Hungaria i bllokon ndihmën prej 50 miliard eurosh

10 months ago 24

Udhëheqësit evropianë ranë dakord të hapnin bisedimet e anëtarësimit në BE me Ukrainën, në një lëvizje të përshëndetur si një fitore nga presidenti i vendit Volodymyr Zelensky, por paketa e ndihmës për Kievin u bllokua nga Hungaria.

Lajmi u mirëprit menjëherë nga udhëheqësi ukrainas, populli i të cilit po lufton me një pushtim shkatërrues rus që nga shkurti i vitit 2022.

Kjo është një fitore për Ukrainën. Një fitore për të gjithë Evropën. Një fitore që motivon, frymëzon dhe forcon Historia është bërë nga ata që nuk lodhen duke luftuar për liri,” postoi Zelensky në X pas njoftimit.

Megjithatë, liderët evropianë nuk arritën të nënshkruanin paketën financiare prej 50 miliardë dollarësh për Ukrainën, pasi Hungaria ishte vendi i vetëm që shprehu kundërshtimin, sipas kryeministrit holandez Mark Rutte.

Rutte tha se nga 27 vende anëtare të BE-së, 26 ranë dakord për financimin e Ukrainës, por se “Viktor Orban i Hungarisë, nuk është ende në gjendje ta bëjë këtë. Shpresoj vitin e ardhshëm.”

Orban dhe qeveria e tij kanë qenë gjithmonë aleati më i afërt i Kremlinit brenda bllokut evropian. Sipas Reuters, marrëveshja e financimit është me vlerë rreth 50 miliardë euro (55 miliardë dollarë).

Ekspertët sipas CNN paralajmërojnë se ka ende disa pengesa themelore në rrugën e anëtarësimit të Ukrainës në bllok, por vendimi i së enjtes megjithatë u përshëndet si një moment historik nga udhëheqës të ndryshëm evropianë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e quajti vendimin “strategjik” dhe “një ditë që do të mbetet e gdhendur në historinë” e Bashkimit Evropian. “Krenare që kemi mbajtur premtimet tona dhe jemi të kënaqur për partnerët tanë,” tha ajo.

Dhe kancelari gjerman Olaf Scholz shkroi në X se “është e qartë se këto vende i përkasin familjes evropiane”.

Në bisedimet e pranimit pati një notë mosmarrëveshjeje, edhe një herë nga lideri i Hungarisë Orban, i cili tha se vendi i tij ishte në kundërshtim me vendimin dhe që ishte marrë nga 26 vendet e tjera të bllokut 27-anëtarësh.

Në fillim të kësaj jave, Orban pohoi se Ukraina duhet ende të plotësonte tre nga shtatë kushtet e nevojshme për bisedimet e pranimit dhe, për rrjedhojë, tha se nuk kishte asnjë arsye aktuale për të negociuar anëtarësimin në BE për Ukrainën. Orban të enjten e quajti njoftimin se Ukraina po fillonte negociatat e pranimit “një vendim krejtësisht të pakuptimtë, irracional dhe të pasaktë”, duke shtuar se vendi i tij “nuk mori pjesë në vendim sot”.

“Pozicioni i Hungarisë është i qartë; Ukraina nuk është e përgatitur të fillojë negociatat për anëtarësimin në BE”, tha Orban në një postim në X. “Nga ana tjetër, 26 vende të tjera insistuan që të merret vendimi,” vazhdoi ai. “Prandaj, Hungaria vendosi që nëse 26-të vendosin ta bëjnë këtë, ata duhet të shkojnë në rrugën e tyre. Hungaria nuk dëshiron të marrë pjesë në këtë vendim të keq.”

Pavarësisht rëndësisë politike të masës, Kievi ende përballet me një sërë pengesash në përpjekjen e tij për t’u bashkuar me BE.  Nëse Ukraina mund të përmbushë kriteret e Kopenhagës, zyrtarët e BE-së dhe të Ukrainës mund të fillojnë negociatat sipas 35 kapitujve të Acquis, të cilat parashtrojnë kushtet e pranimit.

Të gjithë kapitujt e negociatave duhet të mbyllen plotësisht, të nënshkruhen nga çdo shtet anëtar i BE-së dhe më pas të ratifikohen nga parlamenti i BE-së.

Top Channel

Read Entire Article