Berisha e PD po sillen si ‘zyrtarë’ të Trump, dikush t’i ‘zgjojë’!

1 hour ago 27

Nga Jakin Marena

Nuk ka asgjë të keqe që te jesh mbështetës, madje dhe ithtar i presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump. Fundja e kanë votuar shumica e qytetarëve amerikanë dhe shqiptarët duke qënë populli më pro-amerikan në Evropë sëpaku, nuk përbën ndonjë çudi në këtë masivitet mbështetjeje përt Trump.

Madje parë në këtë këndvështrim, shqiptarët me të njejtin masivitet kanë përshendetur dhe mbështetur secilin president të SHBA që është zgjedhur me votat e qytetarëve amerikanë.

Por që në deklarimin e fitores së Donald Trump përballë kandidates demokrate Kamala Harris, ka dalë në sipërfaqe një fenomen fort i çuditshëm që ka filluar që në momentet e para të orientimit të votës drejt fitorës së Trump e deri në ditët e sotme.

Teksa jepeshin rezultatet e para, që tregonin fitoren e thellë të Trump në disa shtete, përfaqësues të PD së Berishës zunë ekranet e shqiptarëve si korrespondentë direkt nga SHBA, por dhe duke u sjellë si përfaqësues të republikanëve në SHBA e vetë presidentit që po fitonte Donald Trump.

Flisnin në emër të tij, të këshilltarëve të tij, madje herë herë harronin dhe deklaronin në vetë të parë fjali të tipit ‘kaq vota kemi marrë në Filadelfia, kaq të tjera në Nju Jork, për kaq vota në Kaliforni dhe thellojmë diferencën me Kamala Harris”, dhe deklarata të tjera të këtij lloji.

Ishte vërtetë një skenë e madhe komike e cila vazhdon deri ditët e sotme, duke paralajmëruar se do të vijojë deri ditën e zgjedhjeve të ardhshme. Tashmë kanë kaluar tek emërimet e reja, e mbi të gjitha kanë ‘përcaktuar’ dhe vijën e sjelljes së administratës së re amerikane të Trump për Evropën, Azinë, Amerikën Latine, Lindjen e Mesme, Ballkanin dhe kuptohet dhe për Shqipërinë.

Madje përcjellin këshilla se si duhet të veprojë Prokurori i Përgjithshëm në SHBA, Departamenti Amerikan i Shtetit, drejtësia amerikane në përgjithësi, sa prokurorë e gjyqtarë të “Sorosit” duhet të përjashtohen direkt në janar me ardhjen e Trump ne Shtëpinë e Bardhë dhe masa të tjera të këtij lloji.

Që nga Këlliçi e deri tek Vokshi janë dyndur nëpër ekranet televizive për të treguar se janë zyrtarisht mbështetës të Trump dhe bashkë me ta vjen ndryshimi dhe në Shqipëri. Madje Albana tentoi fort që të shfaqë ‘supermacinë e saj’ dhe në komisionin parlamentar të hetimit të koncesioneve në Shëndetësi, teksa u soll në mënyrën më barbare dhe aspak dinjitoze jo vetëm për një femër por dhe për një njeri të zakonshëm me ish kolegun e saj, ish ministrin Ilir Beqaj, i cili u soll nga qelia ku është nën akuzën për korrupsion, me pranga në duar për të dëshmuar.

Dhe në vend që të pyetej dhe dëgjohej siç është adeti në këto komisionet parlamentare hetimore që asnjëherë në 34 vite nuk bënë një gjë të hajrit, Beqaj u fye rëndë, i denigrua dhe u la 48 orë pas derës së Komisionit, pa u pyetur asnjëherë, u la koridoreve dhe sallave të kryesisë së Kuvendit ndërkohë që deputetët ish kolegë të tij, anëtarë komisioni shkuan e drekuan e darkuan për dy ditë rresht, ndërsa ai me një shishe uji të marrë me vete para dhe me ushqime të thata kaloi një 48 orësh të tmerrshëm. Duke marrë dhe akuzën se me pranga në duar kishte kërcënuar Vokshin, Zhupën dhe deputetë të tjerë të opozitës. Madje dhe atë ‘shalqirin’ e pabërë!

Nuk e justifikojmë, nuk e marrim në mbrojtje ish ministrin Beqaj për akuzat ndaj tij, SPAK dhe drejtësia ‘t’i nxjerrë ujin e zi’ nëse ka abuzuar me paratë e shtetit, por ama është njeri dhe duhet të trajtohet si i tillë, jo të zbrazet mbi të, tërë maskarallëku i disa deputetëve që nuk dinë se ku i kanë pasuritë e vënë me ‘mund e djersë’ dhe nga ana tjetër na çudit dhe fakti se përse deputetët socialistë nuk kërkojnë një komision parlamentar hetimi për disa prona aty afer Rinasit, për disa puse nafte diku nga Marinza, madje në ortakëri dhe me ca rusë, apo dhe për devijimin e grantëve që janë dhënë në kohën e qeverisjes së PD, apo dhe të ndonjë kulle diku buzë Lanës. Ta hetojmë dhe për sport se nuk bëhet nami, të shohim si sillen në pozicionin e të hetuarit!

Që të mos zgjatemi në këtë pikë, megjithëse është rezultat i asaj që theksuam në fillim, ku Sali Berisha dhe “dishepujt” e tij në PD janë tjetërsuar me fitoren e Trump në Amerikë, janë bërë më brutalë në sjelljen ndaj kolegëve, kundërshtarëve politikë, ndaj njerëzve, ia vlen të theksojmë se me fitoren e Trump tashmë kupola e PD e ndjen veten në ‘pushtet”. Sillen sikur kanë fituar bashkë me Trump, madje sikur bashkëqeverisin bashkë me të shtetin më të madh të botës e për pasojë kërkojnë të diktojnë dhe në këtë ‘cep të vogël të të perandorisë që quhet Shqipëri”. Madje, me sa kemi parë dhe dëgjuar, në të gjitha deklarimet politike të bëra deri më tani, njerëzve të Berishës ne të ‘vdekshmit’ po u dukemi si ‘miza’, të papërfillshëm dhe lehtësisht të nënshtrueshëm.

Zemërohen shumëherë se pse ‘nuk i kuptojnë fare këta shqiptarët dhe gazetarët”, pse ‘nuk i mbështesin në protesta’ për të rrëzuar regjimin e Ramës. Këtë e shohim dhe dëgjojmë dhe në emsionet televizive, ku Flamur Noka e zyrtarë të tjerët të PD u sulen gazetarëve duke i cilësuar si skllevër të Ramës, pasi herë herë e ngrenë zërin dhe ata për të evidentuar këtë marrëzi kolektive që ka kapluar Berishën dhe tërë PD e opozitën pas fitores së Trump, ku fitren në Shqipëri vitin e ardhshëm e shohin thjeshtë dhe vetëm në raport me rezultatet në Amerikë.

Sillen sikur janë këshilltarë të Trump, të dërguar të Trump në këtë cep të globit për të përcjellë idetë e tij, madje duke i tejkaluar ato shumëfish, a thua se linja politike dhe boshti kryesor i qeverisjes amerikane ndryshon sa herë ka zgjedhje, apo më e keqja sipas dëshirave të PD-së në Shqipëri, e ‘konfonduar’ me botën paralele të Berishës në katin e tetë të pallatit të tij, ku ëhstë mbyllur nën arrest shtëpiak me akuzën e korrupsionit pasiv.

Eshtë vërtetë një situatë komike e njëherësh tragjike, teksa sheh se si janë tjetërsuar Berisha dhe mbështetësit e tij pas fitores së Trump, teksa sforcohen në atë farë feje për t’u sjellë si fitimtarë, ndërkohë që në Shqipëri nuk kanë asnjë mbështetje përtej ithtarëve të tyre që nuk e kapin as 30 përqindshin e atyre që janë të sigurtë se do të votojnë në Shqipëri vitin e ardhshëm.

Dhe ajo që i vë kapak të gjithave, është siguria me të cilën Berisha dhe mbështetësit e tij këtu në Shqipëri konfirmojnë heqjen e “non gratës” për kreun e PD, menjëherë sapo Trymp të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, për të ushtruar detyrën si President i SHBA për katër vitetet e ardhshme.

Madje mbështetësit e kreut të PD deklarojnë me një ‘saktësi kirurgjikale’ dhe kohën se kur do të hiqet kjo ‘non grata’ për Berishën. Këtë me sa duket ka filluar ta besojë dhe vetë Berisha, teksa e deklaron çdo pasdite se ishte një grusht shteti kundër tij, nga Soros, Rama dhe disa republikanë për ta shpallur atë ‘non grata’ në SHBA, por ‘shpata e drejtësinë amerikane’ do kapë dhe sorosianët këtu në Shqipëri. Anipse gjasat janë që sekretar për Thesarin në SHBA të jetë një nga ish njerëzit më të besuar të Xhorxh Soros në SHBA. Siç duken bathët themi. Çka do të përbënte zhgënjimin e parë të madh të radhës me Trump për Berishën e mbështetësit e tij.

Një ‘ofensivë” e tillë në media dhe publik, duke ‘pompuar’ fort opinionin që e mbështet, me idenë se Berisha pas janarit nuk do të jetë më ‘non grata’ në SHBA, për këta britanikët nuk pyesin, demokratët po sillen sikur kanë përcaktuar axhendën e administratës amerikane që ditën e parë të ushtrimit të detyrës në Uashington, me hyrjen e Trump në Shtëpinë e Bardhë. Ku puna e parë që do ‘zënë me dorë’ republikanët në DASH, në Departamentin e Drejtësisë, në atë të Thesarit dhe sektorë të tjerë, do të jetë hapja e dosjes së Berishës, grisja e të gjitha letrave me të cilat u shpall ‘non grata’ nga DASH për korrupsion madhor, minim të demokracisë e shantazhim të drejtësisë, dhe marrja e masave p[ër të larguar Ramën nga pushteti dhe ‘ngulur’ Berishën nga kati i tetë e direkt në kryeministri.

Madje arrijnë deri aty sa përcaktojnë dhe masat që do të marrë administrata e Trump kundër ‘sorosianëve’, prokurorëve dhe gjyqtarëve që i bënë “gjëmën’ Berishës duke e shpallur ‘non grata’. I kanë shoqëruar deklaratat me lajme se ‘iks’ zyrtar kishte kërkuar heqjen e ‘non gratave’ për liderët e Amerikës Latine, apo dhe shoqërimin me fotot e marra në takimet 20 sekondëshe nëpër koridoret e kongresit, senatit, zyrave të republikanëve me kandidatët për postet e larta që do marrin nën administratën e Trump. Një sjellje kjo tipike shqiptare, që po këndej nga Shqipëria i thonë që nga moti “të mburresh me ko*et e babës”.

Për hir të së vërtetës politika amerikane ka treguar se në asnjë rast s’lëviz nga kollonat kryesore të saj, dhe për më tepër nuk merr as këshilla apo të veprojë nën presionin e njerëzve periferikë në asnjë cep të globit. Për më tepër që SHBA është shteti më demokratik i botës dhe superfuqia e vetme në botë, ku dhe shqiptarët kanë sytë për mbështetje të fortë, si aleatë strategjikë dhe miku më i madh që ka qënë dhe është. E thënë shkurt, s’marrin urdhëra amerikanët dhe Berisha e di këtë. Nuk njohin as ‘marshin indietro’ në asnjë rast.

Në këtë kontekst, shanset për heqjen e ‘non gratas’ për Berishën nga ana e qeverisë amerikane dhe nën administratën Trump, janë zero. Pasi është administrata “Trump 1” ajo që ia ka kopsitur dosjen Berishës, Blinken i Biden vetëm sa hodhi firmën. Dhe skur ta kishte bërë administrata Biden, sërish nuk ndryshon kurrë linja amerikane e sjelljes në arenën ndërkombëtare. Për më tepër që as i bie ndërmend kujt se ka Berishë në Shqipëri, teksa janë në fokus lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, konflikti Izrael-Hezbollah, Irani, Kina dhe probleme të tjera që SHBA kërkon t’i zgjidhë. Madje e ka shpallur axhendën prioritare që është “pushimi i konflikteve në botë”.

Ndaj sa të bëhet gazi i botës me këto lajthitje dhe paraqitje si ‘komisionerë’ të Trump në Shqipëri dhe këshilltarë të tij në SHBA, Berisha dhe mbështetësit e tij të bëjnë ndonjë takim në bazë për të marrë ndonjë votë, pasi zgjedhjet parlamentare janë në prag dhe mbështetjen e ka në ‘rënie të lirë’, duke paralajmëruar një rezultat shokues negativ në zgjedhjet e ardhshme. Nuk ‘pi’ ujë më as Sorosi në këtë rast humbjeje të thellë për opozitën, pasi sipas Berishës e ka ‘fshirë nga faqja e dheut Trump me fitoren e tij”. Se po heq dhe alibinë e humbjes me këto që po bën Berisha.

Nuk i hiqet as ‘non grata’ as nuk shpëton nga burgu Berisha, pasi ka një mal akuzash në kurriz dhe ’21 janari’ e afera e CEZ-DIA janë peshë e rëndë, që mund ta zhvendosin nga shtëpia në qeli, dhe jo në liri se ‘qënka mbështetës i Trump”. Ndaj të gjejë dhe ndonjë avokat të mirë, që të bëjë ndonjë punë me dosjet e rënda që ka në ngarkim, që ta lehtësojë sadopak. Me këta që ka, të cilët i udhëzon vetë nga arresti shtëpiak, e ka të pamundur të lehtësojë ndonjë gjë. Sa për sjelljen si pjesë e administratës së Trmp, le ta vazhdojë. Shqiptarët argëtim duan.

Read Entire Article