Kanalet kulluese të rrugës nacionale Shupenzë – Peshkopi janë kthyer në problem për banorët pasi ujërat përfundojnë në rrugë dhe banesat e tyre.
Gazetari Enver Doçi raporton për Balkanweb se ndonëse rruga është dhënë për mirëmbajtje nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, kanalet kulluese janë papastruar. Për pasojë, uji që vjen nga vaditja e tokës por edhe kur ka reshje shirash, përfundon në banesa.
Mikel Xheta nga Shupenza thotë se çdo vit kur kthehet me pushime në vendlindje përballet me këtë situatë. Mikeli shprehet se çdo vit ka paguar punëtor, por këtë vit nuk ka mundur të gjejë dot. Ai thotë se i gjithë uji që rrjedh nga lart, përfundon në banesën e tij.
Nga ana tjetër, Mikel Xheka thotë se në vendin ku jeton ai në Itali, nuk ndodh një gjë e tillë pasi sapo të bësh ankesën, institucionet reagojnë menjëherë.
Në kontratën B të rrugëve të Rajonit Qëndror e Verilindor janë dhënë mbi 12 milion euro për mirëmbajtje, por banorët që preken nga aksi nacional Skuraj – Peshkopi, thonë se firma nuk po e bën detyrën e saj.
(balkanweb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb