Në emisionin ‘Log.’ të gazetarit Endri Xhafo në News24 është diskutuar mbi zgjedhjet në SHBA, që rezultuan me fitoren e Donald Trump si President i SHBA, ndërsa republikanët kanë shumicën në Senat dhe do udhëheqin garën për Kongresin.
Por çfarë ndikimi do të ketë zgjedhja e Trump si President në Shqipëri?
Klevis Balliu, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, tha se është i bindur se “non grata” ndaj kreut demokrat Sali Berisha do të hiqet.
“Pres të ketë ndryshime në të gjithë Botën. Pres që shoqëritë të rikthehen te vlerat e familjeve, të heqin dorë nga idetë se burri ngel shtatzënë”, tha Balliu
Por analistja Ornela Çuçi tha se “non grata” e Berishës ishte një vendim politik, por që nuk do të thotë se kemi një lobim.
“Ka dy kushte për të cilat ikën “non grata” është se duhet të vish në pushtet, dhe këtu kemi rastin e 16 ‘non grata-ve’ që janë hequr. Dhe e dyta, të ketë arsye të forta që kjo ardhje në pushtet do i shërbejë amerikanëve”, tha Çuçi. Ajo u shpreh se as drejtësia nuk mund të ndryshojë, përderisa kjo reformë u bë nga SHBA.
Analisti Neritan Alibali tha se nuk mund të bëhen krahasime mes Shqipërisë dhe Indisë. “Në rastin e Shqipërisë mendoj se kemi çështjes lobimi, jo interesash”, tha Alibali.
Analisti Lorenc Vangjeli tha se kemi një batare entuziazmi nga opozita me fitoren e Trump, pasi pragmantizmi amerikan shikon ofertën e qeverisjes.
“Shanset e opozitës për të ardhur në pushtet janë minimaliste. Në një vend kaq të madh sa SHBA, ne mund të bëhemi të mëdhenj, vetëm nëse e kuptojmë sa të vegjël dhe modestë jemi”, tha Vangjeli. Ai tha se kushti i vetëm për heqjen e “non grata-s” është që Berisha të fitojë zgjedhjet. “Berishës i duhet fillimisht të kalojë me not këtë oqeanin për të fituar besimin e shqiptarëve që të fitojë zgjedhjet, pastaj mund të shpresojë për heqjen e ‘non grata’ nga SHBA”, tha Vangjeli.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb