Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin Erdion Muho, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, e kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 152/3, 25 dhe 22 i Kodit Penal.
Vendimi i Apelit erdhi pasi Muho kishte kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë.
Muho u ndalua më 28 korrik, ndërsa në 30 korrik, Gjykata e Shkallë së Parë vlerësoi si të ligjshëm arrestimin dhe i caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”.
Erdion Muho 35 vjeç, pronar i një agjensie turistike në qytet që operon edhe në fushën e transportit ndërkombëtar detar të udhëtarëve të linjës Sarandë- Korfuz, u ndalua me urdhër të Prokurores Besiana Sadikaj, mbrëmjen e 28 korrikut. Sipas urdhërit bazuar në provat e administruara në dosjen penale, ekziston dyshimi se shtetasi Erdion Muho të jetë autori i veprës penale parashikuar nga neni 152 “Shkatërrim i pronës me eksploziv” kryer në bashkëpunim sipas nenit 25 të Kodit Penal me viktimëm Armand Nelaj, e cila mbeti në tentativë sipas nenit 22 të Kodit Penal.
Sipas dosjes hetimore, janë kryer veprime nga të cilat krijohet dyshimi se shtetasi Erdion Muho ka kryer veprën penale. Hetimi ka nisur pas ngjarjes së ndodhur në orën 22.00 të datës 24 Qershor, në afërsi të Portit Detar Sarandë, ku shpërthimi i një sasie ekplozivi i mori jetën 52-vjeçarit Armand Nelaj, biznesmen në fushën e makinerive të ndërtimit.
Nga hetimet dyshohet që Nelaj atë natë po afrohej në kalatën e Portit për të vendosur një sasi eksplozivi në një nga tragetet e linjës Sarandë-Korfuz, por në rrethana ende të paqarta eksplozivi shpërtheu aksidentalisht. Prokuroria dyshon se bashkëpunëtor i Nelajt ishte pikërisht Erdion Muho dhe ngjarja kishte si motiv konkurencën.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb