BERAT
Prokuroria e Berati dhe policia kanë arrestuar një 48-vjeçar nga TIrana, i cili u paraqit në ASHK Berat dhe Skrapar, si prokuror i SPAK-ut, me qëllim marrjen e akteve origjinale të dosjeve që Prokuroria e Beratit kishte në hetim.
Nga hetimet ka rezultuar se 48-vjeçari Alban Muço iu merrte para qytetarëve të ndryshëm, duke i mashtruar se ishte prokuror në SPAK.
48-vjeçari rezulton i dënuar më parë për veprat penale “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” dhe “Mashtrimi”, pasi ka mashtruar disa shtetas duke u prezantuar si funksionar publik.
Sipas policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas informacioneve të marra se një shtetas përvetësonte shuma parash, nëpërmjet mashtrimit, organizuan punën në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për arrestimin e këtij shtetasi dhe dokumentimin e rasteve. Si rezultat i veprimeve hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Alban Muço, 48 vjeç banues në Tiranë, për veprat penale “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” dhe “Mashtrimi”.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka përfituar shuma parash nga disa qytetarë, duke i mashtruar se ishte prokuror në SPAK dhe do të ndërhynte për zgjidhjen e çështjeve të tyre. Gjithashtu, ky shtetas është prezantuar me të njëjtën detyrë, pranë ASHK Berat dhe Skrapar, dhe ka kërkuar dosje specifike të çështjeve që ishin në hetim nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.
Po hetohet qëllimi i kërkimit të këtij dokumentacioni nga shtetasi Alban Muço, në mënyrë që të bëhet dokumentimi i plotë i rastit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb