Hungaria ka bllokuar 50 miliardë euro ndihmë të BE-së për Ukrainën, vetëm disa orë pasi u arrit një marrëveshje për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit.
Bashkimi Evropian ka dështuar të arrijë një pajtim për një paketë prej 50 miliardë eurosh ndihmë për Ukrainën, pasi Hungaria vuri veton ndaj ndihmës mbrëmjen e 14 dhjetorit.
Veprimi i Hungarisë si goditje ndaj Kievit, vjen në kohën kur liderët e BE-së vendosën t’i hapin bisedimet për anëtarësimin e Ukrainën dhe Moldavisë në BE.
Hungaria do të mund të ndalojë procesin e anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian më vonë nëse është e nevojshme, meqë BE kishte marrë një “vendim të keq” kur vendosi të fillojë bisedimet për anëtarësimin e Ukrainës, tha kryeministri Viktor Orban, për radion shtetërore.
Ai tha se nëse BE dëshiron të ndryshojë buxhetin e saj aktual, atëherë do të jetë një “mundësi e madhe për Hungarinë të thotë se duhet të marrë paratë që ka të drejtë”.
Liderët e Bashkimit Evropian vendosën të enjten t’i hapin bisedimet për anëtarësim në BE me Ukrainën dhe Moldavinë.
Të enjten blloku 27 anëtarësh miratoi gjithashtu një paketë prej dymbëdhjetë sanksionesh kundër Rusisë, tha presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel.
Hungaria ka kohë të gjatë që e kundërshtonte nisjen e bisedimeve me Kievin, megjithatë, nuk e përdori veton ndaj këtij vendimi.
Viktor Orban i cili abstentoi nga vendimi i BE-së të enjten, tha në një reagim në rrjetin social Facebook se vendi i tij nuk deshi “të marrë pjesë në një vendim të keq”. Ukraina dhe Moldavia aplikuan për t’iu bashkuar BE-së pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2024.
Top Channel