Komisariati numër 1 në Tiranë ka arrestuar një amerikan, pasi i është gjetur një sasi kanabisi dhe kërpudha magjike.
Gazetari Igli Çelmeta raporton për Balkanweb se në pranga ka rënë shtetasi amerikan Ashique Uahid.
“Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, operacioni policor i koduar “Shrooms”.
Sekuestrohen sasi lënde të dyshuara narkotike kanabis dhe psilocybin (kërpudha magjike). Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca operative, kanë organizuar në drejtimin e Prokurorisë, operacionin policor të koduar “Shrooms”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi amerikan A. U., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në parkun e liqenit artificial të Tiranës, shtetasin e lartpërmendur, të cilit gjatë kontrollit fizik dhe të banesës, i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe psilocybin (kërpudha magjike).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
(Balkanweb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb