Shpëtim Idrizi, kryetar i PDIU-së, duke folur për ligjin e luftës që mbahet në fuqi nga Greqia, tha se është një absurd, kur kemi në fuqi gjithashtu edhe traktatin e Miqësisë mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Në rubrikën “Opinion” në News24, deputeti i PDIU-së, tha se e vetmja rrugë për të abroguar këtë ligj, është ajo e shfuqizimit të ligjit.
“Ministri i jashtëm grek Kotzias e ka cilësuar një budallallëk historik. Ly ligj duhet të shfuqizohet nga pala greke përsa kohë edhe vetë ministrat e Jashtëm të vendit fqinj e konsiderojnë një budallallëk.
Ky ligj duhet të jetë prioritet në raportet mes dy vendeve. Për herë të parë pas 84 vitesh, Republika e Shqipërisë, nëpërmjet Parlamentit të saj, i adresohet parlamentit të Greqisë, dhe i kërkon që të bëjë çdo përpjekje me qeverinë e saj, dhe të votojë çdolloj akti ligjor që heq ligjin e luftës.
Nga ana tjetër, Qeveria shqiptare, duhet të shtojë çdo përpjekje me qeverinë greke, për të arritur në heqjen e ligjit të luftës. Po kështu Qeveria shqiptare është e detyruar që të raportojë dhe informojë Kuvendin e Shqipërisë lidhur me çdo bisedim, lidhur me çdo arritje apo negociatë, sikundër duhet të informojë edhe NATO-n”, tha Idrizi.
Në vijim, kreu i PDIU-së u shpreh se rezoluta nuk ka lidhje me ndonjë negociatë, por Kuvendi i Shqipërisë i kërkon Parlamentit grek që të ndërmarrë hapa konkretë për heqjen e ligjit të luftës.
Përsa i takon replikave me deputetin Ferdinad Xhaferri, Idrizi tha se ai nuk e ka lexuar dhe as i intereson siç duket kjo gjë, pasi nuk kemi të bëjmë me negociata. “Ndoshta nuk e ka lexuar, ndoshta i ka rënë dielli në kokë, pasi nuk kemi të bëjmë me ndonjë negociatë. Çështja e ligjit të luftës është çështjes e palës greke, ndaj ne ia kërkojmë atyre përmes një rezolute, por këtu s’kemi çfarë të negociojmë.
Me palën greke nuk kemi ende një marrëveshje për kufinjtë, për piramidat, për çështjet e pronave të Çamërisë, për pensionet, por gjëja që nuk mund të negociohet është vetëm kjo e ligjit të luftës”, tha Idrizi.
Ai tha se Greqia e mban ligjin e luftës në fuqi me të gjithë shqiptarët dhe me Republikën e Shqipërisë, përfshi këtu edhe për çështjen e pronave të shqiptarëve të Çamërisë. Në këtë kuadër, ai tha se mbajtja në fuqi e ligjit të luftës, nuk ka lidhje me pronat e shqiptarëve të Çamërisë, por me të gjithë shqiptarët.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb