TIRANË
Debate të ashpra në seancë mes opozitës dhe maxhorancës. Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha mbrojti veprimet e Policisë në ndërhyrjen në Kuvend, duke e quajtur Gazment Bardhin përsëritës gënjeshtar.
“Në pikëpamjen e analizës psiko-kriminale që unë kam për shkak të detyrës ti hyn te njerëzit recidivistë, përsëritës, gënjeshtarë. Që ti gënjen dhe akuzon dhe iu beson atyre që akuzon është e vërtetë. Policia e Shtetit ka bërë detyrën, nuk ka hyrë në kuvend. Turma që drejtohej nga ty po sillej drejt institucioneve kushtetuese, policia ishte në detyrë dhe mbrojti Kuvendin”, tha Hoxha.
Por i mënjehershëm ka qenë reagimi i Bardhit, i cili e akuzoi ministrin Hoxha si të zgjedhur nga bandat e Durrësit. Ai i kujtoi vëllain duke thënë se do marrë veten në qafë dhe zv.kryeministren Belinda Balluku.
“Së pari njëherë turmë je ti dhe çeta e hajdutëve që të rrethon ty duke përfshirë dhe tët vëlla që do marrë në qafë veten dhe Belinda Ballukun bashkë me të, do ta mësosh shumë shpejt pse po e them këtë, që është një hajdut atje në OSHEE që vjedh paratë e qytetarëve dhe të energjisë elektrike të qytetarëve. Ju jeni tufë jo ne deputetët e opozitës. Së dyti nuk e di a lexove sms-në që të kishte dërguar Edi Rama apo sms-në që të kishin dërguar banda e Troplinëve të Durrësit, ushtar i së cilës je ti zotrote. Je një njeri, ushtar i bandave të Durrësit që me marrëveshje me njeri-tjetrin të kanë zgjedhur ty si ministër i Brendshëm dhe kjo nuk është as gënjeshtër, as e pavërtetë, është një e vërtetë e madhe që e dinë mirë kolegët e mi të PS-së, ministrat kolegët e tu dhe e di mirë dhe ti që i falesh bandave të Durrësit dhe familjes së madhe, organizatës se nuk i di as emrin. Përfaqësues i tyre je ti. Kartelit po”, deklaroi Bardhi.
Ai tha më tej se policia nuk mund të dhunojë deputetët duke e cilësuar kriminale.
“Mos guxo më kurrë as të më drejtohesh mua, as deputetëve të opozitës me epitete, se zotrote ne mund të vëmë nja 20 epitete të miratuara. Sa i takon Policisë së Shtetit nuk ka punë në Kuvendin e Shqipërisë, aq më tepër forcat speciale. Po ti o i shërben ligjit, o i shërben krimit, ti e ke bërë zgjedhjen zotrote, ti i shërben krimit. Nuk ke lidhje me ligjin, nuk ke lidhje me rregullat si funksionon një shtet demokratik. Nuk mund të vijë policia publike të dhunojë deputetët. Detyrohet garda e Republikës të marrë në mbrojtje deputetët nga dhuna e policisë kriminale që ke ndërtuar ti dhe ai drejtori që ti se doje, por ta detyruan një bandë tjetër”, tha Bardhi.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb