TIRANË
Deputeti i PD-së Edmond Spaho tha se opozita nuk mund t’i kthehet normalitetit kur nuk ka asnjë shpjegim minimal se çfarë ndodhi dhe përgjegjësia e kujt është që deputetët e PD u përjashtuan nga parlamenti.
Ai akuzoi maxhorancën se nuk i zbaton vendimet e gjykatave, duke i kërkuar kryeparlamentares Spiropali t’i kërkojë dhe falje opozitës.
“Si t’i kthehemi normalitetit, duke futur kokën në rërë dhe duke u sjellë si struci. Sot opozita është në Kuvend. Asnjë nga ju nuk dha qoftë dhe shpjegimin minimal se çka ndodhur me këtë opozitë dhe faji dhe përgjegjësia e kujt është. Ju pasi bëtë një veprim të papranueshëm, të pandeshur ndonjëherë në një vend parlamentar sot vazhdoni me të njëjtën gjuhë dhe na e hidhni fajin ne. Na thoni që këtu duhet të biem dakord si do sillemi me vendimet e gjykatave. Pse vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është vendim për t’u zbatuar. Çfarë tha Gjykata Kushtetuese që rregullorja e parlamentit shfuqizohet dhe ju nuk e morët në konsideratë. Ç’na thoni do biem dakord apo jo t’i zbatojmë, ju nuk i zbatoni. Kaq kollaj kalon kjo punë”, deklaroi Spaho.
Ai tha më tej se nuk justifikohet mungesa e opozitës në Kuvend teksa kanë kaluar disa ligje.
“Po rrjedhojat që ka pasur kjo gjë në punën e Kuvendit, si do ta kompensoni ju që opozita nuk ka qenë në diskutimin e këtyre ligjeve gjatë kësaj kohe. Si do ta arsyetoni se komisioni hetimor për koncesionet po jep shpirt se keni përjashtuar anëtarët e maxhorancës. A e vret ndopak ndërgjegjja zonjën Bushka dhe ju znj. Spiropali a ju vret ndërgjegjja sot që ti thoni më fal opozitës. Por ju jeni të pandreqshëm dhe një pjesë e juve e meriton titullin e atij filmi, të ndyrët, të ligjtë, të ulëtit”, tha Spaho.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb