Juventusin e nderon një autogol, Milan fiton me 10 lojtarë, sonte supersfida Roma-Inter

6 hours ago 26

Një autogol i Mario Xhila, në fundin e takimit i mjaftoi Juventusit që të fitonte ndaj Lacios në një nga supersfidat e javës se 8 te kampionatit italian. Përballja e transmetuar në Tring u ndikua shumë kartoni i kuq i Ramanjolit që la miqtë me dhjetë lojtarë që në minutën e 25. Kryeqytetasit ishin paraqitur mirë deri në momentin e disavantazhit numerik.

Episodi i dha mundësi Juventusit të dominonte takimin por nuk shfrytëzoi dot as rastet që iu paraqiten me anë të Vlahovic, Gati dhe Duglas Luiz. Megjithatë atë që nuk e bënë dot vendasit, e bëri Lacio e cila ndëshkoi vetveten me autogolin e spanjollit Xhila në minutën e 85. Fitorja e parë për Juventusin që prej 19 gushtit në fushën e vet në kampionat dhe 16 pikë për Bardhezinjtë në renditje. Skuadra e Tiago Motes është i vetmi ekip i pamposhtur në Serie A me 4 fitore dhe 4 barazime.

Në duelin tjetër transmetuar në Tring, Milani gjithashtu u kthye tek fitorja pasi mundi në San Siro 1 me 0 Udinesen në një ndeshje goxha të vështirë për shkak se luajti shumicën e kohës me 10 lojtarë. Vendasit për të cilët u la në stol në formë ndëshkimi Rafael Leao, e dominuan fort nisjen e takimit duke krijuar disa mundësi shënimi përmes Okafor, Pulisic dhe Rejnders, derisa shënuan përmes nigerianit Çukueze. Mirëpo ndeshja mori një rrjedhë tërësisht tjetër kur holandezi Rejnders u nxor me të kuq për një kontakt me Lovriç që po shkonte i vetëm drejt portës. Pamjet në fakt treguan që vendimi ishte shumë i diskutueshëm. Udineses iu anulua një gol për një pozicion jashtë loje milimetrik, ndërsa në të dytën megjithëse miqtë u përpoqën shumë nuk kishin shumë rrezikshmëri në portën e Menjon.

Por në minutën e 5 shtesë Milani shpëtoi sërish nga Sistemi Var, pasi Udineses iu anulua një gol i shënuar nga Kabasele. Skuadra e Fonsekes qëndron në pjesën e sipërme të tabelës së klasifikimit me 14 pikë dhe tani përqendrohet tek dueli në champions kundër Bryzh të martën.

Sonte në serie A luhet supersfida mes Romës dhe Interit, ndeshje e cila transmetohet në Tring në orën 20:45. /vizionplus.tv

Read Entire Article