Policia njofton se në kuadër të operacionit “Operacionalja 13”, ka arrestuar një 39-vjeçar, që kërkohej nga Italia për trafikimin e 110 kg kokainë.
Mësohet se i prangosuri qëndronte në Shëngjin, me dokumente false ukrainase. Dyshohet se i arrestuari ka pasur rolin e bashkëpunuesit në trafikimin e sasisë së madhe të drogës.
“Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH finalizoi operacionin policor të koduar “Operacionalja 13”.
Qëndronte në Shëngjin, me dokumente ukrainase false, ndërkohë që kërkohej nga Italia, si bashkëpunëtor për trafikimin e 110 kilogramëve kokainë, kapet dhe vihet në pranga 39-vjeçari.
Sekuestrohen dokumentet false.
Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera me partnerët në Itali, për vendndodhjen e një shtetasi shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 13”, kapi dhe vuri në pranga shtetasin S. B., 39 vjeç.
Autoritetet gjyqësore në Itali i kanë caktuar 39-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, pasi dyshohet së në bashkëpunim me të tjerë, ka trafikuar nga Belgjika, në Itali, 110 kg lëndë narkotike kokainë.
Në momentin e arrestimit, në Shëngjin, shtetasi S. B. kishte me vete dokumente ukrainase, të dyshuara të falsifikuara, të cilat ia sekuestroi Policia.
Vijon bashkëpunimi me homologët, për ta ekstraduar këtë shtetas, në Itali”, njofton policia.
(Balkanweb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb