Kërkoi të betohej për të marrë drejtimin e Bashkisë së Himarës, rrëzohet kërkesa e Fredi Belerit

10 months ago 41

Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka rrëzuar kërkesën e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, për të bërë betimin.

Beleri këmbëngul prej muajsh që t’i jepet e drejta për t’u betuar përpara anëtarëve të Këshillit Bashkiak. Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule në një deklaratë për mediat e konsideron të padrejtë vendimin e GJKKO-së. “Teksti, orekstrimi, ka një autor ekskluziv, ai është Edi Rama, atij i privohet e drejta themelore, (Belerit), komunitetit të Himarës çdo qytetari i privohet e drejta që të zgjedhë. Rama kërkon të mbajë në bashki një kryetar që nuk e kanë votuar qytetarët, që të vazhdojë dhe të tjetërsojë pronat, në dëm të interesave të banorëve dhe në favor të interesave klienteliste.

Kjo nuk është një ndërhyrje në drejtësi, por mendim që çdo qytetar ka të drejtë të shprehë. Ndërhyrje është intervista e Ramës një javë më parë, dhe shumica prej gazetarëve nuk patën guxim ta kontestojnë. Po krijohet një precedent i rrezikshëm, i cili cenon shtetin e së drejtës, demokracinë”, tha Dule. Një grup qytetarësh të mbledhur para Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në mbështetje të kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri kanë protestuar kundër vendimit. Ndërsa mbajnë pankartën ku shkruhet “Himara zgjodhi Fredi Belerin si kryetar”, ata njëzëri thonë “Poshtë diktatura”. Ai ka dorëzuar më parë kërkesën për t’u betuar në dy institucione, përpara Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, një kërkesë që iu refuzua dhe më pas kjo kërkesë iu dorëzua edhe SPAK-ut, e cila po ashtu iu refuzua.

Në seancën e kaluar, për betimin e Fredi Blererit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Drejtoria e Paraburgimit e Durrësit, ku mbahet Fredi Beleri, kanë kërkuar kohë pasi kanë dëgjuar dy palët. Nga njëra anë Fredi Beleri pretendon se ka shkelje kushtetuese dhe se po i ndalohet betimi, ndërsa nga ana tjetër Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe SPAK kanë këmbëngulur se nuk janë kushtet e përshtatshme për t’i dhënë atij të drejtën të shkojë të betohet në Himarë.

Kujtojmë se Beleri dorëzoi një ankimin në gjykatë. Fillimisht, GJKKO shpalli moskompetencën dhe konsideroi që ishte kompetente Gjykata e Durrësit. Nga ana tjetër edhe Gjykata e Durrësit konsideroi që nuk ishte kompetente dhe çështja shkoi në Gjykatën e Lartë, e cila tha se duhet të shqyrtohej nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion. Në këtë gjykatë janë dy çështje për Belerin, ajo e korrupsionit në zgjedhjet e 14 majit dhe çështja e dytë ku ai insiston të shkojë të betohet.

Read Entire Article