Kryeparlamentarja Spiropali takim me presidenten e Bundestagut: Bashkëpunim për reformat dhe anëtarësimin në BE

1 hour ago 20

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali u takua sot me presidenten e Bundestagut gjerman Bärbel Bas dhe kryetarin e parlamentit të Polonisë Szymon Franciszek Hołownia, gjatë qëndrimit në Riga, ku po merr pjesë në Samitin e Tretë Parlamentar të Platformës Ndërkombëtare për Krimenë.

Spiropali dhe presidentja e Bundestagut, Bas rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe dialogun intensiv politik të nivelit të lartë mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.

Të dyja vendet bashkëpunojnë ngushtësisht edhe në kuadrin e Procesit të Berlinit, si një mbështetës i fuqishëm i integrimit ekonomik të rajonit.

Spiropali vlerësoi mbështetjen e Gjermanisë, dhe rolin pro-aktiv të të gjithë spektrit politik të Bundestagut, për anëtarësimin e Shqipërisë në BE si edhe ndihmën teknike për zhvillimin me sukses të negociatave.

Spiropali vuri në dukje bashkëpunimin intensiv mes Kuvendit dhe Bundestagut për reformën në drejtësi dhe reformat e tjera demokratizuese si edhe shkëmbimet e shpeshta të vizitave të të gjitha niveleve. Spiropali dhe Bas ranë dakord që ky bashkëpunim rezultativ të vazhdojë.

Sipas Spiropalit, “bashkëpunimi dypalësh plotësohet nga bashkëpunimi i suksesshëm në NATO dhe organizatat e forumet ndërkombëtare”.

Në takimin me kryetarin e parlamentit të Polonisë, Szymon Franciszek Hołownia, Spiropali shprehu vullnetin për vazhdimin e marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe politike, nxitjen e bashkëpunimit ekonomik, në fushën e mbrojtjes e sigurisë, infrastrukturës, turizmit, si edhe intensifikimin e bashkëpunimit dhe diplomacisë parlamentare.

Spiropali shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Polonisë dhe të vendeve të Vishegradit për integrimin europian të vendit tonë dhe bashkëpunimin e integrimin rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Spiropali dhe Hołownia diskutuan edhe për vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën dhe mbrojtjen e lirisë dhe të paqes.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article