Lajҫaku na ‘mashtroi’ me dialogun, nuk ia raportoi Serbisë këto propozime të Kosovës

1 month ago 17
Reklamë

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi para pak ditësh ka thënë se Mirosllav Lajçaku, nuk ua ka prezantuar palëve propozimet e njëra-tjetrës mbi planin e sekuencimit për zbatimin e Marrëveshjes bazë.

“Si mund të propozojnë ata ide për zbatimin e një marrëveshjeje, të cilën e refuzojnë si inekzistente. Për këtë arsye ne, në një moment, kemi kërkuar nga z. Lajçak që me palët të ndajë propozimet e palës tjetër. Të na tregojë neve se cilat kanë qenë propozimet e deritanishme të Serbisë dhe kemi dhënë lejen tonë që propozimet tona t’i ndajë me Serbinë, me idenë që të shohim se a ka pasur propozime nga Serbia, sepse edhe vendet anëtare janë manipuluar, duke thënë se ka pasur propozime nga Serbia”, ka thënë Bislimi. “Dhe e dyta, të shohim se sa janë larg qëndrimet tona. Vetëm atëherë kur i kemi ne propozimet e Serbisë dhe Serbia propozimet tona, do të mund ta dimë se a është versioni i 10-të, versioni i fundit apo do të kemi edhe versionin e 27-të. Duhet të dimë se ku qëndrojmë për ta ditur pak a shumë se çka na pret në takimin e radhës në Bruksel, por kjo nuk është mbështetur e unë e kam pak a shumë një ide pse nuk është mbështetur”, ka deklaruar ai.

Mirëpo një veprim i tillë i ndërmjetësuesit të dialogut, a mund të ketë ndikim tek raportet ndërmjet dy shteteve? Madje, a mund të jetë i qëllimshëm si veprim?

Lidhur me këtë ҫështje, për ‘Bota sot’ kanë folur njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të fushës së politikës.

Qarri: Kritikat për moszbatim të marrëveshjeve të dakorduara në dialog, padrejtësisht janë orientuar në vijimësi më tepër kundër Kosovës

Kështu, njohësi i ҫështjeve politike, Gani Qarri, ka thënë se, mënyra e ndërmjetësimit, ashtu edhe formati i dialogut Kosovë -Serbi, veçanërisht pas emërimit të dy përfaqësuesve të lartë, si ndërmjetsues të BE-së, në dialog, nga dy vende mosnjohëse të shtetit të Kosovës, Mirosllav Lajçakut e Josep Borellit, nuk është më kurrfarë fshehtësie se përgjatë katër viteve të kaluara, ata kanë dështuar tërësisht në dialog, ndaj shkarkimi i të dërguarit të posaçëm latino-amerikan Gabriel Escobar, Miroslav Lajçakut dhe Josep Borellit, është lajmi më i mirë, që në kuadër të dialogut, ka mundur të ndodhte për Kosovën.

“Pikërisht kjo qasje e njëanshme e Lajçakut dhe Borellit, ka bërë që tash e një kohë të gjatë, mes palës kosovare dhe dy ndërmjetësuesve të BE-së", të ketë një mosbesim të madh, e sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, deklaroi se Mirosllav Lajçaku, nuk ua ka prezantuar palëve as propozimet e njëra-tjetrës mbi planin e sekuencimit për zbatimin e Marrëveshjes bazë. Prandaj deklarata e z. Bislimi po mbështet edhe nga njohës të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, të cilët shprehen hapur se strategjia paradoksale dhe qasja publike pro Serbisë, e ndjekur publikisht nga lehtësuesi i dialogut, Mirosllav Lajçak e ka komprometuar gjithë procesin dhe në vend të përafrimit të palëve dialoguese, Lajçak me çasjen e tij dubioze, ka bllokuar tërësisht edhe dialogun ndërmjet të dy vendeve”, vlerëson ai.

Image

Gani Qarri

Tutje, analisti Qarri thekson se nga njohës të mirë të çështjeve politike si paradoksale është vlerësuar edhe vet qasja e Bashkimit Evropian (BE) pasi që palëve të përfshira në dialog nuk u`a ka prezantuar komentet e njëra-tjetrës mbi planin e sekuencimit për zbatimin e Marrëveshjes Bazë, ndaj Besnik Bislimi theksoi qartë, se Kosova tanimë i ka dërguar komentet e kërkuara nga emisari evropian, Miroslav Lajçak, përkundër faktit që BE, asnjëherë nuk ia ka prezantuar Kosovës propozimet e Serbisë.

“Marrë parasysh se edhe kritikat për moszbatim të marrëveshjeve të dakorduara në dialog, padrejtësisht janë orientuar në vijimësi më tepër kundër Kosovës, kjo është edhe një dëshmi e anshmërisë kah Serbia, andaj për ngërçin në dialog, duhet fajësuar edhe vet BE-në. Prandaj si nga Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ashtu edhe nga njohësit e zhvillimeve politike, me plotë të drejtë, Lajçak fajësohet edhe për komprometimin e dialogut politik Kosovë-Serbi, kur dihet mirëfilli se një qasje e tillë paradoksale, jo vetëm që nuk i ndihmon bisedimet për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, por ka ndikim mjaft të keq dhe nxitë acarimin edhe më tepër të raporteve ndërmjet të dy shteteve si dhe e pengon përafrimin e qëndrimeve ndërmjet palëve dialoguese. E përderisa njëra palë nuk është prezentë dhe as nuk e dinë se çfarë propozimi ka bërë pala tjetër, gjendja bëhet edhe më alarmante dhe problematike, ku ngriten edhe dyshime të arsyeshme e tejet të mëdha se çka në fakt do të ndodhë dhe çfarë vendimesh mund të merren në takimet e veçanta të palëve me BE-në, kur pala tjetër dialoguese mungon në takim dhe nuk është prezente, në vend se takimet të mbaheshin ndërmjet të dy palëve dialoguese në prani të ndërmjetësuesve të BE-së, siç është vepruar, tani e mbi një dekadë, në bisedimet maratonike Kosovë-Serbi”, theksoi ai.

Analisti thotë se ky veprim i Lajҫakut po konsiderohet i qëllimshëm, që Kosova të zihej në befasi nga Serbia dhe kriminelët serb, pasi që, ashtu siç tregoi shembulli i vitit të kaluar në Banjë të Zveçanit.

“Duke qenë se është e domosdoshme që palët të kenë qasje tek komentet e njëra-tjetrës, fshehja nga Lajçaku e refuzimit të marrëveshjes, nga pala serbe, përveçse është shumë komprometuese për te dhe vet BE-në, ai tanimë po dyshohet publikisht, jo vetëm në Kosovë por edhe në taborrin evropian e atë ndërkombëtar, se ky veprim i paprecedent i ndërmjetësit të dështuar të BE-së në bisedimet Kosovë -Serbi, Mirosllav Lajçakut, ishte tërësisht i qëllimshëm, që Kosova të zihej në befasi nga Serbia dhe kriminelët serb, pasi që, ashtu siç tregoi shembulli i vitit të kaluar në Banjë të Zveçanit, një sulm hibrid nga Serbia, është përherë i mundshëm, ndaj Kosova duhet të jetë gjithmonë e kujdesshme dhe e përgatitur në vijimësi, që kjo të mos përsëritet më, asnjëherë dhe në asnjë kohë në vendin tone”, tha Qarri për ‘Bota sot’.

Çipa: Është esenciale që Shtetet e Bashkuara të kenë një rol më të drejtpërdrejtë dhe, pse jo, imponues në proces

Lidhur me këtë ҫështje, poashtu ka folur edhe eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa në një intervistë për ‘Bota sot’. Ai thotë se, në parantezë vlen të thuhet se formati i dialogut, në momentin që po flasim, ka dështuar praktikisht.

Image

Akri Çipa

“Z. Lajçak po afrohet te përfundimi i mandatit të tij si i dërguar i posaçëm për dialogun dhe zëvendësimi i tij vetëm mirë mund t’i bëjë procesit. Katër vite pasi u caktua si ndërmjetësues me një mandat një-vjeçar, nuk ka kurrfarë arritje të faktuar. Përkundrazi, sikurse tregon debati aktual për paraqitjen ose jo të propozimeve nga palët dhe transparencën ndërmjet tyre, dialogu është futur në një qorrsokak”, thotë ai.

Eksperti Çipa, tutje thotë se, që të kishte ecuri në një proces të natyrës së dialogut Kosovë-Serbi nevojitet në parim ose angazhimi konstruktiv i palëve, ose një ndërmjetësues proaktiv për të çuar përpara procesin.

“Në rastin specifik, të dyja këto elemente kanë munguar. Procesi i dialogut tanimë do vazhdojë nën drejtimin e një ndërmjetësuesi të ri dhe, me rëndësi, edhe me një Përfaqësuese të Lartë të re në Bashkimin Europian. Është e rëndësishme që të ketë një proces të rivitalizuar, duke shfrytëzuar mësimet nga gabimet e viteve të fundit. Në të njëjtën kohë, është esenciale që Shtetet e Bashkuara të kenë një rol më të drejtpërdrejtë dhe, pse jo, imponues në proces, në mënyrë që të japin impulsin e nevojshëm për të kaluar nga hapat e ndërmjetëm te një marrëveshje përfundimtare ndërmjet dy vendeve”, thekson ai.

Read Entire Article